E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pritje të rezultateve për Rashkën

Drejtues të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, njoftuan se tashmë janë përfunduar gjurmimet në vendin e quajtur Rudnicë afër Rashkës, porse të gjitha këto hulumtime kanë qenë të njëanshme, sepse pala e Kosovës nuk ka qenë e përfshirë dhe është lënë vetëm në cilësinë e vëzhguesit. Ditë më parë institucionet hetuese të Serbisë, kanë filluar punën e gjurmimeve në një varrezë masive, që besohet se përmban mëse 300 trupa të pajetë të shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë luftës në vitet 1998-99.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj bëri të ditur se tani kanë përfunduar gjurmimet në Rudnicë dhe mostrat e dheut janë dërguar për analiza në Fakultetin e Xehetarisë në Beograd. Sipas tij, këto hulumtime kanë qenë të njëanshme, pasi pala e Kosovës nuk ka qenë e përfshirë dhe është lënë vetëm në cilësinë e vëzhguesit. Gjetaj ka theksuar se Komisioni i Kosovës është duke insistuar që të gjurmohet edhe në një vend tjetër afër Rashkës, pasi ekzistojnë dyshime se është vendi kryesor i varrezës masive me qindra eshtra të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Sipas tij, aktivitete të tjera hulumtuese në kërkim të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur janë duke u zhvilluar edhe në Andrijevic të Malit të Zi, porse deri më tani nuk ka ndonjë informatë nëse ka gjetje të trupave të vrarë gjatë vitit 1999. Ndërkohë që aktivitetet hulumtuese brenda Kosovës, janë të orientuara në Bardh të Madh, Koshare, si dhe në liqenin e Livoqit, ku punimet në fazën e parë të hulumtimeve do t’i kryej FSK-ja.

Drejtues të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur kanë bërë të ditur se është formuar Këshilli Organizativ për shënimin e 30 gushtit, ditës ndërkombëtar për personat e pagjetur.

Edhe 11 vjet pas përfundimit të luftës edhe 1860 persona të vrarë e të rrëmbyer ende vazhdojnë të mbeten të pagjetur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›