E Diel, 1 Nëntor 2026

Kopshtet, çerdhet falas për fëmijët PAK, me një prind

11/02/2005  Bashkia e Tiranës ka planifikuar të subvencionojë pagesat për kopshtet dhe çerdhet për disa kategori fëmijësh. Për fëmijët me aftësi të kufizuara, me HIV/AIDS do të jenë falas kopshtet dhe çerdhet, po kështu dhe për ata që jetojnë me një prind. Ndërsa për familjet e tjera për fëmijën e parë paguhet plotësisht 3.2 mijë lekë të reja, ndërsa për fëmijën e dytë vetëm 50 për qind për fëmijën e tretë e më lart falas. Në një takim që u zhvillua dje, në mjediset e Bashkisë, kryebashkiaku Edi Rama foli përpara prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara, edukatore çerdhesh dhe kopshtesh, si dhe organizatave të ndryshme jofitimprurëse të kësaj fushe.

”Për këtë vit, ne po përgatisim paketën fiskale që sapo e paraqitëm para komisioneve qytetare. Po përgatisim edhe buxhetin e vitit 2005 dhe në funksion të buxhetit të vitit 2005, ne kemi parashikuar dhe jemi duke punuar për masat që do të lehtësojnë sadopak shtresat në nevojë", tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Përjashtohen nga pagesa fëmijët me paaftësi fizike dhe mendore, të cilët do të jenë të mirëpritur dhe të mirëtrajtuar si të gjithë të tjerët, pa kërkuar nga prindërit asnjë lloj pagese. Fëmijët në familje me kryefamiljare grua të ve. Bashkia do t’i mbulojë këto shpenzime. Përjashtohen nga pagesa fëmijët në familje me kryefamiljarë të divorcuar. Pra, nuk është vetëm për nënat që kanë humbur bashkëshortin dhe fëmijët që kanë humbur babanë, por edhe për ato nëna që janë të divorcuara dhe kanë vështirësi. Këto janë të gjitha të klasifikueshme që do të subvencionojnë shpenzimet për fëmijët.

Përjashtohen nga pagesa fëmijët që vijnë nga familje me kryefamiliarë me sëmundje të rënda, të çertifikuara. Edhe ata nuk do të paguajnë për shërbimin që do t’u jepet njëlloj si të gjithë të tjerëve. Përjashtohen nga pagesa fëmijët e vajzave nëna, një kategori kjo gjithnjë e më e përhapur. Të gjitha këto kategori do të përjashtohen nga pagesa, ndërsa për një kategori tjetër do të bëhet një skemë lehtësimi nga pagesa, duke pasur parasysh se vështirësitë e mëdha nuk janë vetëm të natyrës, por edhe të natyrave të tjera. Kështu, do të lehtësohen nga pagesa familjet me më shumë se një fëmijë në çerdhe dhe në kopështe. Për fëmijën e parë do të paguhet tarifa e plotë, për fëmijën e dytë do të paguhet 50% e tarifës, gjithmonë në rastin kur i pari dhe i dyti janë njëkohësisht në këtë sistem, ndërsa për fëmijën e tretë nuk do të paguhet asgjë. Rezulton që stimulimi i edukatoreve dhe i punonjësve të çerdheve me një pagë më të lartë ka qenë mjaft rezultativ. Do të shikohet me kujdes mundësia që kjo nismë të vazhdojë edhe më tej. Nëpërmjet rritjes së stimulit dhe motivimit të edukatoreve të kopshteve, çerdheve, të mësuesve dhe veçanërisht nëpërmjet mbështetjes së të gjithë atyre kategorive familjare që janë realisht në nevojë, do të përmirësohen dhe do të lehtësohen sadopak kushtet e vështira, në të cilat vazhdohet të punohet dhe të jetohet në kopshte e çerdhe. Por, kushtet janë ende larg kushteve që do të meritonin fëmijë evropianë në një vend evropian, por po punohet që të arrihet edhe në këtë nivel. Vendosja edhe e grupit të psikologëve në këtë nivel ka qenë një risi që, me sa duket, ka sjellë rezultatet e veta. Duhet të përmirësohet akoma puna e tyre, duhet menduar edhe për stimulimin e mëtejshëm të tyre. “Kjo është diçka që e kemi plotësisht në vëmendje, por më lejoni të them se është një punë jashtëzakonisht e ndërlikuar, e lidhur edhe me institucione të tjera, e lidhur edhe me një politikë të administrimit të burimeve njerëzore dhe që kërkon edhe kohën e vet”, është shprehur kryebashkiaku Rama.

Përjashtohen nga pagesat

Fëmijët me paaftësi fizike dhe mendore, sëmundje të rënda gjaku e të brendshme, Hiv/Aids.

Fëmijët nga familje me kryefamiljare grua të ve.

Fëmijët nga familje me kryefamiljare të divorcuara (me të ardhura të pamjaftueshme jetese).

Fëmijët me kryefamiljarë me sëmundje të rënda.

Fëmijët e vajzave-nëna

Lehtësohen nga pagesat

Familjet me më shumë se një fëmijë në çerdhe e kopshte

Për fëmijën e parë prindi paguan tarifë të plotë

Për fëmijën e dytë prindi paguan 50% të tarifës

Për fëmijën e tretë nuk paguan

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›