E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA, 400 milionë dollarë për vendet që mbështetën luftën në Irak

11/02/2005  Zëdhënësi i Presidencës së SHBA-së, Scott Mçlellan, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara do të akordojnë 400 milionë dollarë ndihma për vendet që kanë ndihmuar në luftën e zhvilluar nga vendet e koalicionit në Afganistan dhe Irak."Kjo ndihmë do t'u akordohet vendeve që kanë dërguar trupa në Irak dhe Afganistan, gjithashtu edhe partnerëve të tjerë që marrin pjesë në promovimin e lirisë në botë", ka deklaruar zëdhënësi i Presidencës Amerikane. Në listën e vendeve që kanë kontribuar me trupa në betejat kundër terrorizmit që ka zhvilluar SHBA dhe trupat e koalicionit, në Afganistan dhe Irak, është dhe Shqipëria. Trupat tona janë të instaluara në Kabul dhe Mosul me mision paqeruajtës. Qeveria shqiptare nga ana e saj ka përkrahur hapur luftën kundër terrorizmit dhe jo pak herë kontributi i Forcave tona të Armatosura të dërguara në këto vende me mision paqeruajtës është vlerësuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe SHBA-ja. Vetëm pak ditë më parë Departamenti i Shtetit amerikan, në kuadër të ndihmës për vendet e Ballkanit, i akordoi Shqipërisë 28 milionë dollarë nga shuma e përgjithshme prej 201 milionë dollarësh që do të përdoret për zhvillimin e vendeve ballkanike. Shuma do të fillojë të lëvrohet në tetor të këtij viti, kohë kur hyn në fuqi dhe vendimi i Kongresit Amerikan për Buxhetin e Shtetit të vitit 2006.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›