E Diel, 1 Nëntor 2026

Kopshti magjik i skulpturave në Akademinë e Arteve

SHKRUAN: Aida TUCI 14-05-2011 12:03

Teksa hyn në Galerinë FAP të duket sikur je në një kopsht skulpturash. Këtë mjedis sjell skulptori Arben Bajo në ekspozitën personale në Galerinë e Akademisë së Arteve. Një ekspozitë portretesh që teksa i sheh, disa prej tyre të duken familjare. Janë 26 portrete, ku mes tyre dallon fare mirë portretin e Gazmend Lekës, diku më tutje atë të Najada Hamzës, por dhe Gregor Ramës, Fjodora Fjorës. Janë njerëz publikë për ata që vijnë të shohin ekspozitën, por për skulptorin Arben Bajo ata janë miqtë dhe kolegët e tij. Shumë interesante është dhe mënyra sesi artisti i ka shpërndarë nëpër galeri portretet e tij. Portrete të ngulura në një shufër hekuri. Në fakt, ndjesia “e errët” që të krijohet teksa i sheh të vendosur në atë mënyrë zhduket nën shkëlqimin e dritave. Një gjetje kjo e Ardian Kapos, mikut të skulptorit. Në një intervistë për Mapo-n skulptori Arben Bajo, përmes fjalëve, na skalit portretin e tij artistik.

Vini në Galerinë FAP me 26 portrete, ku mes tyre dallon artistë, gazetarë, kolegë. A është kjo ekspozitë një “paradë” e njerëzve publikë?

Jo aspak, siç e shihni këtu ka dhe njerëz të panjohur, ka portrete fëmijësh. Për mua këta nuk janë njerëz publikë, siç thoni ju, por janë njerëzit të cilët më rrethojnë, janë kolegët dhe miqtë e mi, të njohurit dhe të afërmit e mi. Portreti është një zhanër që unë e kam bërë gjatë gjithë kohës dhe sot është e vështirë të gjesh njerëz që pozojnë, prandaj gjithmonë një skulptor kur bën një portret e nis nga vetja. Ka artistë që kanë bërë gjithë jetën autoportrete dhe portrete të miqve. Po t’i hedhim një vështrim historisë së artit një “fenomen” i tillë, të themi, është shumë i përhapur. Vincent van Gogh bëri portretin e tij dhe të doktor Gachet, që ishte miku i tij. Skulptura është një art që do të jetojë gjatë, pavarësisht mediumeve të reja që kanë hyrë në artet pamore. Në Shqipëri skulptura është pak e paragjykuar, sepse si zhanër e lidhin me vdekjen, me heroin, ky është një konceptim që e ka ngurtësuar disi skulpturën. Por skulptura nuk është kjo, prandaj unë vendosa të çel këtë ekspozitë, por edhe për faktin se më ishin mbledhur shumë portrete në studio dhe si çdo artist vendosa ta ekspozoj punën time.

Në fakt është pak e pazakontë edhe mënyra sesi ju i keni ekspozuar këto portrete: I keni ngulur në shufra hekuri. Keni dashur të përcillni ndonjë mesazh të veçantë me këtë?

Ishte pak e vështirë në fakt të ekspozoje 26 portrete ose më saktë të gjeje mënyrën sesi t’i ekspozoje. Për këtë i kërkova ndihmë mikut tim piktor, që është dhe kurator i ekspozitës, Ardian Kapo. Kjo mënyrë ishte ideja e tij dhe me ndriçimin që ka zgjedhur të krijon përshtypjen sikur ndodhesh në një kopsht me skulptura. Mendoj se kjo mënyrë ka rezultuar e efektshme dhe e ka tërhequr publikun.

A është e vështirë të bësh portretin e një të njohuri (mik, koleg, mikeshë etj.)?

Është e vështirë, sepse duke e njohur shpesh ke një dilemë nëse do të arrish të nxjerrësh gjithë psikologjinë e tij.

Ndikon karakteri në realizimin e një portreti?

Janë pikërisht karakteret ato që tërheqin artistin. Jo të gjitha fytyrat mund të bëhen skulpturë, në kuptimin që ka njerëz shumë të bukur, që në skulpturë mund të mos duken aq të bukur. Ka njerëz që mund të mos jenë të bukur, por janë karaktere nga ana plastike.

Portreti që ju ka lodhur më shumë…

Nuk ka të tillë. Mund të ketë portrete më të arrira dhe më pak të arrira, sepse varet sesi kam qenë dhe unë në momentin që kam realizuar një portret, sepse edhe kjo transmetohet në punën e një artisti.

Skulptura në artet pamore shihet si një medium që nuk po e kap dot ritmin e kohës. Në ekspozitën ndërkombëtare “Onufri”, nga 27 punime që u prezantuan, vetëm njëra ishte skulpturë. Ju ç’mendim keni për këtë?

Skulptura është një zhanër i vështirë dhe e tillë ka qenë në të gjitha epokat. Në një intervistë që kishte dhënë kuratori thuhej se sot në botë nuk bëhet më skulpturë, por kjo është tërësisht gabim dhe keqinformim. Ka në fakt një lloj paragjykimi për skulpturën, por kjo mendoj se vjen nga mosnjohja e problemit. Mendimi se skulptura nuk po e kap rimtin e kohës është akoma më gabim, sepse të gjitha zhanret e arteve pamorë ecin paralelisht, zhvillohen paralelisht. Kur ndryshon skulptura, thonë, ndryshon edhe shoqëria. U deshën 400 vjet që pas Mikelanxhelos të dilte një Roden dhe të ndryshonte gjithë skulpturën e fundshekullit të 19-të dhe fillim shekullit të 20-të. Me pak fjalë, është një art që kërkon kohën e vet. Në botë ka artistë të rëndësishëm të artit modern që janë skulptorë, si Fernando Botero apo Antony Gormley.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›