Udhëtimi me tren, çfarë torture
Trenat e linjave në gjithë vendin lëvizin me një shpejtësi jo më shumë se 20 km/orë. Amortizimi në segmentin hekurudhor Elbasan-Pogradec ka çuar disa herë në daljen e vagonëve nga shinat. Një rast i përsëritur në rrjetin e rrënuar hekurudhor shqiptar
ELBASAN - Ngjarjet e përsëritura në segmentin hekurudhor Elbasan-Pogradec, tri dalje nga shinat dhe dëmtimi i traversave nga rrëshqitjet, e kanë kthyer udhëtimin me tren në një vështirësi më vete. Vetëm tri ditë më parë, për shkak të kalbjes së traversave dhe amortizimit të linjës, një vagon doli nga shinat dhe pasagjerët kaluan minuta të vështira që nuk do t'i harrojnë lehtë.
Ngjarje të tilla po përsëriten sidomos në segmentin e Librazhdit ku edhe territori është më i vështirë. Udhëtarët dalëngadalë po i largohen çdo ditë e më shumë udhëtimit me tren për shkak të shpejtësisë që tashmë shkon mesatarisht deri në 20 km/orë.
E vetmja kohë që mbush trenat dhe ofron një bilanc pozitiv, sipas drejtuesve, është periudha e plazhit kur pushuesit ditorë nisen drejt Golemit duke përfituar nga bileta e lirë.
Linja hekurudhore në përgjithësi po kalon një krizë të stërzgjatur dhe shumë herë transporti është ndërprerë siç ka ndodhur me jugun dhe në periudha të caktuara, edhe në segmentin Elbasan-Pogradec.
Po cilat janë vështirësitë që po kalon rajoni hekurudhor dhe rrjeti në përgjithësi gjatë kësaj periudhe?
Bujar Kulla, shefi i njësisë së lëvizjes, thotë se elementet e sigurisë mbahen në parametra normale, por kjo nuk do të thotë se nuk ka probleme. "Shpejtësia e lëvizjes është mesatarisht 20 km/orë dhe kjo garanton parametrat e sigurisë, por ka edhe raste ku si pasojë e kalbjes së traversave ka një deformim të shinave gjë që ka sjellë edhe daljen e vagonëve nga shinat.
Kemi pasur raste me ndërprerje të gjata të lëvizjes së trenit, siç ka ndodhur në pjesën e Mirakës, ku pati gërryerje, dhe në kilometrin 102 pati edhe rrëshqitje të dherave", shprehet drejtori i linjës hekurudhore. Kulla sqaron se në çdo 10 kilometra janë 4 persona që përgjigjen për mirëmbajtjen dhe sigurimin e linjës, por vështirësitë që hasen, janë të mëdha. Në shumë vende, sipas tij, vidhen bulonat dhe çmontohen pjesë të hekurta gjë që kërkon edhe ndërhyrjen e vazhdueshme të mirëmbajtjes.
Fondet për ndërhyrje vijnë nga buxheti i shtetit, pasi me të ardhurat nga biletat nuk mbulohet dot as 1% e shpenzimeve. E vetmja periudhë që sjell një numër të kënaqshëm udhëtarësh, janë muajt e verës dhe sidomos në drejtim të Durrësit. Plazhistët ditorë zgjidhin problemin e shifrave të udhëtarëve për Stacionin Hekurudhor që së fundi ka pasur një përmirësim, të paktën në godinë.
Dashamir Neziri, shef Rajonal i Udhëtarëve në zonën juglindore të vendit thotë se për 6 muaj kanë udhëtuar gjithsej me tren 24 403 udhëtarë. Nga këta vetëm në qershor pati 7 mijë udhëtarë. Korriku pritet të ketë një statistikë prej 12 mijë udhëtarësh. Ai thotë se penalizimi më i madh për hekurudhën është shpejtësia. Shtimi i shpejtësisë do të sillte më shumë udhëtarë, pasi biletat janë shumë të lira dhe me mjaft interes për ta.
Shpejtësia varet nga gjendja e hekurudhës, e cila po shkon drejt amortizimit të plotë. Njësia e Elbasanit ka një varësi direkt nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave në Durrës. Kjo njësi ka në administrim 80-90 km duke përfshirë edhe transportin e mallrave, kryesisht me destinacion firmën "Kurum". Kushtet e trenit, sipas dy përgjegjësve, janë të mira, funksionojnë edhe tualetet.
Duket se shpejtësia dhe siguria e udhëtimit me tren mbeten dy probleme shqetësuese që kanë sjellë edhe degradimin e kësaj linje udhëtimi.
Me tren, si të ecësh në këmbë
Një prej udhëtarëve që zgjedh trenin për të shkuar tek të afërmit thotë se zgjedh trenin pasi nuk ka para të paguajë një mjet tjetër më të shpejtë. A. Plaku thotë se shkon në Pogradec për tregti dhe zgjedh trenin pasi kushton më lirë. "Jam i detyruar të pres trenin, pasi paguaj vetëm 1 mijë lekë të vjetra për të lëvizur, megjithëse duhet të nisesh në mëngjes e t'ia falësh ditën trenit. Shpesh vonohemi, treni ndalet e duhet të zbresim por s'kemi ç'të bëjmë. Kur s'kemi para, do të zgjedhim edhe trenin e ngadaltë".
Problemet në linja të ndryshme
- Shërbimi hekurudhor i linjës Vlorë-Tiranë rifilloi funksionimin më 1 korrik pas rreth 6 muajsh ndërprerjeje. Paralizimi i këtij shërbimi ishte shkaktuar nga rrëshqitja e një masivi në afërsi të Fierit.
- Një problem për hekurudhën që përshkon Qarkun e Fierit mbeten objektet pa leje dhe ndërtimi i mbikalesave Sipas drejtuesit Mustafa Gashi, në këtë këtë vijë hekurudhore janë evidentuar mbi 174 ndërtime pa leje në të gjithë rrugën e hekurt nga Rrogozhina në Vlorë dhe mbi 300 mbikalime. Këto të fundit, edhe pse janë prishur nga policia ndërtimore, janë rindërtuar sërish duke u bërë një pengesë serioze për aksidente.
- Në muajin prill pati dy incidente në aksin Lezhë-Shkodër. Në njërin prej tyre lokomotivës i mbaroi karburanti, në të dytin një nga vagonët doli nga shinat për shkak të prishjes së trasesë
- Pak kohë më parë, drejtori i hekurudhës në Shkodër, Tonin Trupa, deklaroi se hekurudha shqiptare kishte nevojë për investime konkrete në përmirësimin e saj, me qëllim që të kthehet dëshira e njerëzve për të lëvizur me trena.