Korrupsioni, shtohen kallëzimet në Prokurori për ish-shefin e Tatimeve
• TIRANE – Prokuroria zbulon “viktima” të tjera të ish-shefit të rajonit nr.2 të Tatimeve në Tiranë Arjan Paskaj i arrestuar me akuzën e korrupsionit.Burime nga struktura Task-Forcë janë shprehur dje, se një javë pas arrestimit të ish-shefit të rajonit nr.2 të Tatimeve në kryeqytet numri i denoncimeve të bëra ndaj tij është dyfishuar. Zyrtari i tatimeve ra në pranga në vazhdim të operacionit “Gjoba e fundit”. Para se të arrestohej Arjan Paskaj ishte denoncuar nga katër biznese të ndryshme në Tiranë, ndërsa kur ka kaluar një javë nga arrestimi i shefit të tatimeve numri i denoncimeve të bëra ndaj tij mësohet, se është dyfishuar. “Biznesmenë të tjerë kanë denoncuar se ish-shefi i Tatimeve u krijonte atyre vështirësi formale në shlyerjen e detyrimeve në mënyrë që më pas t’i kërcënonte me gjoba nëse nuk i jepnin ryshfet”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, ish-shefi i Tatimeve u kishte nxjerrë probleme edhe bizneseve që paguanin rregullisht detyrimet në shtet. Pasi u krijonte pengesat mësohet se ish-shefi i Tatimeve i kërcënonte bizneset me gjoba nëse nuk i paguanin ryshfet. Organi i akuzës ka dokumentuar disa raste kur detyrimet që paguanin bizneset janë përvetësuar nga Arjan Paskaj. Ai mësohet, se derdhte në arkën e shtetit vetëm një pjesë nga pagesat e bizneseve, ndërsa pjesën tjetër i mbante për vete. Abuzimet kryesore dhe më të rënda mësohet, se janë kryer ndaj atyre bizneseve që kanë pasur probleme, që nuk kanë paguar taksat ose i kanë paguar ato me vonesë. Këtyre subjekteve ish-shefi i Tatimeve akuzohet, se u ka kërkuar ryshfet duke u premtuar se do i shpëtonte nga ndëshkimet financiare që mund të pësonin si pasojë e mospagimit të taksave në arkën e shtetit. Sipas burimeve zyrtare mësohet, se Arjan Paskaj ka ndjekur të njëjtën mënyrë abuzimi sikurse edhe shtatë ish-zyrtarë të tjerë të Tatimeve të arrestuar në Tiranë në muajin shtator të këtij viti. Të arrestuarit e parë të operacionit “Gjoba e fundit” u akuzuan se kishin “gjobitur” privatisht, disa biznese ne Tiranë, të cilët nuk kishin paguar tatimet.