E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerimi i tregut, biznesi kërkon ndihmën e ambasadave

Bizneset shqiptare kërkojnë të zgjerojnë partneritetin me vendet e rajonit, me anë të mbështetjes që mund të marrin nga përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë. Konferenca e Ambasadorëve ka vijuar edhe dje takimet e saj, kësaj radhe me komunitetin e biznesit, duke shtjelluar disa çështje të rëndësishme në kuadër të zhvillimit ekonomik të vendit. Bizneset industrialiste, të përfaqësuara nga administratori i përgjithshëm i "Konfindustrias", Gjergj Buxhuku, kanë kërkuar nga ambasadorët shqiptarë nisjen e një fushate njohjeje të botës ekonomike dhe financiare ndërkombëtare me nocionin e krijimit të tregut të hapur shqiptar 7 milionësh, nëpërmjet procesit të filluar të krijimit të infrastrukturës rrugore, energjetike, portale. Tjetër qëllim i bizneseve lidhet me procesin e përafrimit të legjislacionit fiskal, financiar, ekonomik, arsimor, të punës dhe lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit në hapësirat shqiptare. "Është domosdoshmëri përfitimi ekonomik mbarëkombëtar dhe nxitja e investimeve të rëndësishme të huaja nga pavarësimi i Kosovës dhe përmirësimi i gjendjes institucionale të shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi", u shpreh dje Gjergj Buxhuku. Tjetër synim ka të bëjë me njohjen e botës ekonomike ndërkombëtare me procesin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe përfitimet ekonomike të investitorëve të huaj nga krijimi i CEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të vendeve të EJL). Vendosja e lidhjeve të vazhdueshme të selive diplomatike-Konfindustri, për shkëmbimin e të dhënave të nevojshme për njohjen e prodhimeve dhe shërbimeve të industrive shqiptare në tregjet e huaja dhe shtimin e eksporteve shqiptare, do të ishte një gjë shumë e vlefshme për ekonominë e vendit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›