E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, policia zbardh skemën e mashtrimit me pallatet, 1 në pranga, 1 në kërkim

KORCE - Policia e Korçës zbardh një skemë mashtrimi të dy personave, të cilët prezantoheshin si ndërtues pallatesh duke u marrë shuma të mëdha parash qytetarëve, duke u premtuar dyqane dhe banesa.

Në pranga ka rënë njëri prej mashtruesve, konkretisht Altin Uruçi, si dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij Stafanaq Curro, ndërsa ndiqet penalisht në gjendje të lirë Forri Curro 80 vjeç, i cili ndihmonte dy personat e tjerë.

Operacioni është shtrirë në 4 qarqe të vendit, Korçë, Fier, Gjirokastër dhe Tiranë. Mësohet se personat në fjalë u paraqiteshin qytetarëve me emra të rremë dhe më pas u merrnin para, duke u premtuar banesa dhe dyqane, premtim që nuk mbahej kurrë e gjithçka përfundonte me zhdukjen e 2 mashtruesve.

Gjithë hetimi nisi pas denoncimit të dy personave, të cilëve u ishte marrë shuma prej 220 mijë eurosh. Policia u bën apel qytetarëve të denoncojnë nëse u janë marrë para përmes mashtrimit.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›