E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plarent Kotherja: Mamaja ime italiane



Ani Jaupaj

Tek flet për të ëmën, shefit të sektorit të gjyqtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit, Plarent Kotheres, i shpëtojnë jo rrallë, fare instinktivisht, fjalë italisht. Edhe pse ka vendosur të jetojë e punojë në Tiranë, gjuhën e nënës, e zotëron njësoj me atë të babait. Nëse duket si lojë fjalësh, nuk është. Plarenti është bir i një martese shqiptaro-italiane. Ka në fytyrë një shprehi jo fort të përcaktueshme, rrjedhojë e një përzierje çoroditëse kombesh. Lindur, në Sofje, me nënë italiane e babë shqiptar, trajneri ndërkombëtar, tregon jetën e së ëmës, peripecitë e një jete të panjohur, por edhe të mirat prej saj.
Janë disa histori, prej të cilave kur je jashtë, të ngacmojnë pafund pyetje që kërkon tu japësh përgjigje. Ndofta edhe sepse i përkasin një kohe të largët që breza të tërë e kanë cekur vetëm në librat historikë a ngjarje po aq historike rrëfyer nga kushedi ç’familjar a i afërt që ende ka mbetur në jetë prej asaj kohe. Tani, nipërit a mbesat e atyre brezave i dëgjojnë si histori përrallash ngjarjet e gjyshërve që për një arsye apo tjetrën, fundja thjesht sepse ashtu u ishte parashikuar destini, jeta i ka degdisur ku e ku asaj që kishin hamendur për jetën. Të tilla janë historitë e vajzave të huaja, të cilat pa u menduar gjatë, e duke ecur vetëm në gjurmët e instiktit e ndjenjave, e lidhën jetën me një shqiptar. Sot, nuk ka asgjë të çuditshme a të pamundur, por dikur, në vitet ’50, nuk qëllonte të dëgjoje përditë martesën mes një shqiptari e një italianeje.
Sepse nuk kishte se si, ku, pse?! Po ja që bashkime të tilla nuk ishin fare të pamundura. Ish- arbitri e profesori i matematikës, Sami Kotherja, larguar nga jeta 10 vite më parë, pati për grua italianen, Dina Magagna. Dina, fare pa u mëdyshur, qysh në moshën 18 vjeçare, vendosi ta transferojë jetën e vet në Shqipëri. Natyrshëm pyetja e parë që lind është ku u gjendën bashkë?
Gjatë luftës së Dytë Botërore, komandanti i formacionit të partizanëve, Mario Magagna, u vra prej fashistëve. Me përfundimin e luftës, demokracitë popullore,nxorën bursa studimi për familjet e dëshmorëve. “Kështu, ime më, në 1950-ën mori rrugën drejt Sofjes për të nisur studimet në degën e financës”, tregon Plarenti. Por ja që nuk ishte e thënë. E gjithë kjo duket si një lojë, që fati kishte rezervuar, vetëm e vetëm për të takuar bashkë dy të rinjtë.
Ndërkaq, i biri i drejtuesit shqiptar të batalionit “Antonio Gramshi”, fitoi të drejtën e studimit në Beograd. Në ç’kryqëzim u takuan?! Sami Kotherja ishte në vitin e tretë të studimeve për matematikë kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë, kështu që studenti duhet medoemos të transferohej. Ku? Pikërisht në Sofje, atje ku pa e ditur, kishte lënë në pritje të dashurën e tij të ardhshme. Me gjithë këto rastësi të jetëve të tyre, duket sikur të dy ishin duke pritur njëri-tjetrin krah hapur në oborrin e shkollës por në të vërtetë nuk u takuan menjëherë. Kishte kaluar një vit kur shikimet e të dyve do gjenin pikat e përbashkëta të takimit.
Historia e tyre nuk është nga ato të stërzgjaturat me shumë ulje ngritje, ishin puqur aq mirë njëri me tjetrin sa nuk u desh shumë të mendoheshin për të sjellë në jetë një fëmijë, që do lindte pak kohë më pas në Sofje(ndoshta nuk është e rastësishme që sot, Plarent Kotherja, fëmija i parë i çiftit, është arbitër ndërkombëtar!).
S’do mend që marrëdhënia e Dina Magagnas me studimet u ndërpre pak kohë më pas. Por arsyeja nuk ishte vetëm gjendja e rënduar prej shtatzënisë sepse kur i shoqi, katër vite më i madh se ajo, i përfundoi studimet, djali kishte lindur tashmë, vetëm se të tre duhet të ktheheshin në Shqipëri. E shoqja nuk u ndërdysh asnjëherë për ta ndjekur. Kështu, ndoqi pas një rrugë për të cilën nuk dinte as fund as krye. E ku ta dinte ajo se transferimi përfundimtar në Shqipëri, do ta pengonte më shumë se një herë të takonte nënën apo motrën e saj në Itali. Ishte i panegociueshëm fakti që vizita të tilla mund të shkëmbeheshin vetëm një herë në tre vjet. E ëma mund të vinte në Shqipëri si turiste, por ja që nuk mund të strehohej te e bija. Turistët e huaj, që zgjidhnin për të kaluar “pushimet” në Hotel “Dajti”, nuk mund të ishin vizitorë të familjeve shqiptare. Si mund t’ia rrokte mendja asaj se edhe në rast të një shqetësimi fizik, kur kishte probleme me këmbët e duhet t’i mbante ngrohtë, çizmet e bardha që do t’i dërgonte e ëma do bëheshin objekt polemikash. Për një javë nuk do reshtnin mbledhjet e këshillit pedagogjik të shkollës së mesme “Qemal Stafa”, ku Dina kishte nisur të jepte rusisht, vetëm e vetëm për të diskutuar shfaqet e huaja të çizmeve të bardha.
Por të gjitha këto ishin pengesa të një jete që ajo e kishte vendosur për ta përballuar tashmë e prej së cilës nuk do të kishte kthim mbrapa. Kishte krijuar, ndihmuar nga rrethi i gjerë shoqëror i të shoqit, kontaktet e veta të cilat e ndihmuan në fare pak kohë të fliste një shqipe fare të pastër. Madje ishte kjo aftësi e saj,për t’i përvetësuar shpejt gjuhët, qe e bëri të nisë sërish studimet për gjuhë ruse në Tiranë. Pas diplomimit nisi të punonte si mësuese e kësaj gjuhe së pari në shkollën ’10 korriku” e mandej në gjimnazin “Qemal Stafa” deri në ditën kur doli në pension në moshën 50- vjeçare. Natyrisht që një energji si ajo e saja nuk mund ta përfundonte mësimdhënien me kaq. Në vitin ‘82, kur u hap dega e italishtes në fakultetin e gjuhëve të huaja, u vendos pedagoge e gjuhës italiane. Të gjitha përpjekjet për të ruajtur ritmin e jetesës, përpos moshës, u zbehën edhe sepse bashkëshorti, Samiu, u nda nga jeta. Natyrisht që Dina kishte fëmijët në Tiranë, por ja që vendosi t’i kaloj në vendin e saj vitet e fundit të jetës(ndërkaq edhe djali edhe vajza kishin marrë menjëherë pas ’91-shit,nënshtetësinë italiane). Prej vitit 2002 është transferuar në Trieste, prej nga erdhi rreth 60 vite më parë. Vizitat e saj në Shqipëri padyshim që nuk mungojnë, madje rri me muaj të tërë. Dhe jo vetëm sepse ka këtu, përveç djalit, nipin e saj të dashur, por edhe pse tani, në moshën 78–vjeçare, nuk i ka humbur marrëdhëniet me Ambasadën Italiane ku shkon e u jep mësim fëmijëve sa herë nevojitet. Po kaq shpesh shkon e viziton edhe Plarenti, që ndjen detyrim qoftë edhe për përkujdesjet teknike të shtëpisë të së ëmës. është për të shtëpia e dytë... Ky ishte destini i Dina Magagnas!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›