E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korce PS dhe Posta Shqiptare perplasen per kuponat e kartave

Dega e PS-së në Korçë ka akuzuar postën shqiptare se gjithë kontigjentin e kuponave të kartave të identitetit ia shet PD-së. Sipas saj, kjo ka bërë që edhe kartat e identitetit të përgatiten vetëm për anëtarët e sinpatizantët e PD-së në këtë qytet.

“Këto kupona janë bërë pronë e Partisë Demokratike të cilët ua shpërndajnë anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre. Po përdor metodat e saj të dëshpëruara për t’u mohuar qytetarëve të këtij vendi të drejtën themelore, atë për të votuar.”- tha Petrika Tollkuçi, përfaqësues nga shtabi elektoral i PS-së.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i drejtoreshës së degës së postës shqiptare Lindita Qosja e cila i ka cilësuar akuzat e PS-së një shpifje dhe ka nënvizuar se ka pasur një rënie të numurit të kuponave që i kanë ardhur Korçës gjatë kohëve të fundit, por ato u janë shërbyer qytetarëve pa asnjë lloj preference apo dallimi partiak.

“Ne kemi një rregullore të shërbimit postar dhe çdo punonjës i sportelit tonë e zbaton këtë rregullore pasi kontrata që ekziston midis punonjësit dhe punës që ai bën është një kontratë që zbatohet dhe monitorohet nga ana jonë. Është absolutisht e gabuar. Kjo gjë nuk ka ndodhur në filialin e postës, në sportelet tona dhe unë e hedh këtë akuzë”- tha Lindita Qosja, drejtoreshë e degës së Postës Shqiptare në Korçë.

Pak ditë më parë, dega e Partisë Socialiste në Korçë denoncoi problemet me listat përfundimtare të zgjedhësve, pretendime që u hodhën poshtë nga zyra e gjendjes civile.

Jorgjeta Gjançi    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›