Korçë, çerekshekulli për vrasësin e Vidohovës
Një çerekshekulli heqje lirie për Besim Karajn, vrasësin e tre vëllezërve Mulliri në fshatin Vidohovë. Ky ka qenë vendimi i togave të zeza të Korçës i dhënë në seancën e zhvilluar mesditën e së hënës. Pasi është dëgjuar pala mbrojtëse e autorit të vrasjes së trefishtë, trupi gjykues vendosi dënimin me 25 vjet heqje lirie për Besim Karaj. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, pavarësisht se nuk kanë qenë të pranishëm të afërm të viktimave, të cilët gjatë seancave të mëparshme kanë shkaktuar një lloj tensioni në gjykatë me pretendimet e tyre. Avokati mbrojtës, Gjergji Gjoka, sqaroi pas seancës, se në konkluzionet e tij kishte kërkuar ndryshimin e akuzës për klientin e tij. “Ka qenë një krim i çastit, edhe pse i rëndë, dhe klienti im e ka pranuar këtë”, u shpreh avokati mbrojtës. Ai shtoi se do të apelojë vendimin e dhënë nga Gjykata e Faktit në Korçë, megjithëse gjykata vendosi 25 vjet heqje lire ndryshe nga sa ishte kërkuar nga organi i akuzës, që kishte kërkuar burgim të përjetshëm për 45-vjeçarin Karaj. Ndërkohë mësohet se togat e zeza kanë zbutur dënimin për akuzën e armëmbajtjes pa leje, por në bashkimin e dy dënimeve ka lënë në fuqi akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese. Besim Karaj përfitoi nga gjykimi i shkurtuar që i njeh atij uljen e 1/3 së dënimit, pavarësisht nga sa kërkon organi i akuzës. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se Besim Karaj ka folur shumë pak në seancën e djeshme. Ashtu si avokati mbrojtës, ai është shprehur se nuk ka kryer vrasje me paramendim, por një krim të momentit dhe të provokuar nga vëllezërit Mulliri. “Nëse doja t’i vrisja, unë mund t’i kisha vrarë edhe më parë”, mësohet të ketë thënë Karaj përpara togave të zeza. Mesditën e datës 29 janarit të këtij viti, Besim Karaj ekzekutoi në mes të fshatit Vidohovë vëllezërit Taulant, Xhiljan dhe Edlevan Mulliri, për shkak të një lidhjeje intime që më i madhi prej tyre, Taulanti, kishte krijuar me bashkëshorten e tij, Eglantina Karaj.
#