E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, financimet e KE-së, mbyllet programi KRDI

Dje paradite, kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian, Helmuth Lohan dhe koordinatorja e përhershme e OKB-së dhe rezidente e UNDP-së, Gulden Turkoz-Cosslett, kanë qëndruar në Kukës, ku kanë parë nga afër disa nga investimet e kryera nga UNDP me financime të KE-së. Në një takim në Këshillin e Qarkut u njoftuar se programi KRDI, i cili bëri të mundur investimin e 4.6 milionë eurove, po përfundon. U nënvizua fakti i ndërtimit të 8 shkollave të reja, rikonstruksioni i 17 shkollave të tjera, një numër kanalesh vaditëse e kështu me radhë, gjithsej 75 projekte. Programi "Iniciativa për Zhvillimin Rajonal të Kukësit" (KRDI) ka zgjatur tre vjet dhe mendohet që prej tij të kenë përfituar mbi 80 mijë banorë të rretheve Kukës, Has dhe Tropojë, objektivi i të cilave ka qenë zbutja e varfërisë ekstreme nëpërmjet nxitjes së prodhimit rural, si dhe përmirësimit të shërbimit në komunitet. Por, siç njoftoi ambasadori Lohan, dy programe të reja do të nisin në fillimin e vitit të ardhshëm. "Komisioni Evropian është i interesuar të mbështesë projekte në fushën e turizmit, si dhe në atë të bashkëpunimit ndërkufitar në rajonin e Kukësit", tha ambasadori, duke dhënë edhe një shifër të përafërt prej 1.5 milionë eurosh, që mund të financojë KE, duke specifikuar se nga kjo shumë gjysmë milioni do t‘i adresohej turizmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›