Prokuroria çon në gjyq lazaratasin e kapur me drogë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në gjykatë dosjen ndaj 23-vjeçarit lazaratas, Sinan Rabi, i cili akuzohet për "trafik të lëndëve narkotike", që përdori tre të mitur për të kaluar drogën drejt Greqisë. Nga hetimet paraprake për këtë procedim penal ka rezultuar se në datë 20 shkurt 2008 prokuroria ka regjistruar procedimin penal nr. 22 ndaj shtetasve Spiro Kotroci, Kastriot Llupi, Vilson Rushi, Sinan Rabi dhe Femi Rabi. Kallëzimi është bërë nga policia e Gjirokastrës. Sipas dosjes së prokurorisë, në datë 19 shkurt 2008, të tre të pandehurit, Vilson Rushi, Kastriot Llupi dhe Spiro Kotroci (të mitur), janë kapur në flagrancë në afërsi të fshatit Bularat të Gjirokastrës, duke çuar nëpërmjet rrugës së malit në këmbë dy çanta me bimë, të cilat, sipas aktit të ekspertimit kimik, rezulton të jenë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. "Atë ditë, të tre të pandehurit kanë shkuar për të marrë çantat në një tunel në afërsi të fshatit Bularat. Pasi kanë marrë çantat, janë nisur së bashku në drejtim të kufirit me shtetin e Greqisë. Ata do të kalonin në qafë të Koshovicës dhe më pas do të zbrisnin në Igumenicë të shtetit grek, ku do të dorëzonin edhe lëndën narkotike. Këtë rrugë do ta drejtonte i pandehuri Kastriot Llupi, pasi ai e dinte rrugën sepse kishte kaluar edhe herë të tjera andej", thuhet në dosjen e akuzës. Më tej sqarohet se personi që u ka propozuar atyre për të kryer veprimet e mësipërme ka qenë i pandehuri Sinan Rabi, nga fshati Lazarat, kundrejt shpërblimit përkatës. Lënda narkotike që ata do të dërgonin nga mali për në Greqi, sipas prokurorisë, ishte e të pandehurit Femi Rabi, nga Lazarati.