E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, dy shkolla, mësim me turne

Edhe këtë vit procesi mësimor nuk ka filluar normalisht në të gjitha shkollat e Rrethit të Korçës. Vetëm një klasë në dispozicion për nxënësit e fshatit Plasë ka bërë që fëmijët e kësaj shkolle të zhvendosen gjatë ditëve në vijim për të ndjekur normalisht mësimin në një tjetër fshat. Punimet për përfundimin e godinës do të zgjasin të paktën edhe për dy javë të tjera. Ndonëse kontrata parashikonte që shkolla të ishte gati që në datën 2 shtator, nxënësve u duhet të udhëtojnë drejt shkollave të tjera, disa kilometra larg fshatit të tyre. Ndërkohë, edhe shkolla "Sevasti Qirjazi" do të ketë probleme gjatë këtij muaji për të kryer procesin mësimor në kushte normale. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i arsimit, Andrea Mano, sipas të cilit nxënësit e kësaj shkolle do ta kryejnë mësimin me turne, pasi objekti nuk është dorëzuar, edhe pse ka përfunduar nga punimet. Mësohet se edhe shkollat e fshatrave të thellë malorë do të kenë sërish problemin e klasave kolektive. Në zonat e thella malore, sipas drejtorit të arsimit, për shkak të numrit të pakët të nxënësve, por edhe të infrastrukturës, mësimi do të kryhet në klasa kolektive, pasi në këto zona me një numër shumë të ulët nxënësish nuk mund të investohet për godinat. Sipas drejtorit Mano, në zona të tilla numri i nxënësve shkon nga 6-8 për fshat dhe për këtë arsye mësimi kryhet edhe këtë vit në klasa kolektive. Në shumë nga fshatrat e thellë malorë që janë prekur nga lëvizjet migratore, numri i fëmijëve është i ulët dhe si rrjedhojë nuk janë kryer investime nëpër godina.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›