Mbikalimet, rrezik në linjën hekurudhore Shkodër-Bajzë
Linja hekurudhore ndërkombëtare Shkodër-Bajzë, që lidh Shqipërinë me gjithë sistemin hekurudhor ndërkombëtar, çdo ditë po amortizohet nga mbikalimet e shumta që ndërtojnë banorët e zonës. Përgjatë gjithë këtij aksi hekurudhor, gjatë viteve të fundit vihet re një popullim nga banorë të fshatrave aty pranë, që kanë ndërtuar banesa të reja. Ndërkohë që mbikalimet e paligjshme jo pak herë u kanë kushtuar dhe jetën banorëve të këtyre zonave. Vitin e kaluar janë shënuar tre raste aksidentesh të rënda, ku banorë të zonës janë përplasur nga lokomotiva në momentin që po kalonin në mbikalimet e paligjshme. Ndërkohë kujtojmë se një vit më parë u prishën rreth 30 mbikalime nga policia ndërtimore, por ato u ndërtuan sërish nga banorët e zonës. Sipas drejtuesve të hekurudhës Shkodër, e ardhmja e kësaj linje transporti mendohet të jetë në shërbim të udhëtarëve, duke sjellë kështu shërbimin më të ri të komunikimit hekurudhor, por realisht gjendja e krijuar nga mbikalimet vështirëson investimet në këtë linjë. Nga Shkodra deri në Bajzë, në një distancë prej 27 km, numërohen mbi 40 mbikalime. Ndërkohë, sipas drejtuesve të hekurudhës rajonale Shkodër, për situatën e krijuar nuk janë përgjegjës vetëm banorët e zonave, por dhe kryepleqtë dhe drejtuesit e komunave, të cilët nuk duhet të lejojnë në asnjë mënyrë që të ndërtohen mbikalime të tilla.