E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova feston me madhështi 1-vjetorin e pavarësisë

Sejdiu: “Kosova është vendi i shanseve të barabarta për të gjithë qytetarët”.

Blerina Olldashi
Në mbarë Kosovën u festua dje 1-vjetori i shpalljes së pavarësisë. Rrugët u mbushën nga njerëz që festonin me flamuj. Koncertet, fishekzjarrët dhe një mbledhje solemne e Kuvendit të Kosovës ishin përmbajtja e programit festiv për Ditën e Pavarësisë. Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një mbledhje solemne ku deputetëve të Kuvendit dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë iu drejtuan presidenti i vendit, kryeministri, kryeparlamentari dhe përfaqësuesi civil ndërkombëtar. Presidenti Fatmir Sejdiu uroi popullin e Kosovës, duke theksuar se Kosova është vendi i shanseve të barabarta për të gjithë qytetarët. Ai vlerësoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga 54 vende, ndërsa premtoi se vendi do të punojë më shumë për të rritur besueshmërinë te partnerët ndërkombëtarë dhe për të krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me vendet europiane në përgjithësi dhe rajonale në veçanti. Kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij theksoi se viti i parë i pavarësisë ka qenë viti i krenarisë, ndërsa tashmë përpara popullit të Kosovës gjendet sfida më e madhe, ndërtimi i vendit. Kryeministri tha se në muajt e ardhshëm pritet që Kosova të njihet nga shumë shtete. Në këtë kuadër, ai garantoi se “shumë shpejt Kosova do të njihet nga e gjithë bota dhe do të bëhet anëtare me të drejta të plota e organizatave ndërkombëtare, BB e FMN”. ”Kosova ecën e sigurt për integrimin në NATO dhe BE”, - tha Thaçi. Ndërsa kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në fjalën e tij, ndër të tjera ftoi Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës dhe kjo për hir të komunitetit serb që jeton në Kosovë dhe atij shqiptar që vazhdon të jetojë në trojet serbe. ”Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Ka ardhur koha që të vendosim epokën e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve të mira mes dy vendeve”, - tha ai. Krasniqi tha se në përvjetorin e parë të pavarësisë, mirënjohja e parë u takon dëshmorëve që ranë për liri, popullit të Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë që ndihmuan Kosovën në realizimin e aspiratave shekullore. Parlamentarëve të Kosovës iu drejtua me një fjalë rasti edhe përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Peter Feith, i cili uroi të gjithë shtetasit e Kosovës për njëvjetorin e pavarësisë.
Feith deklaroi se misioni i Kosovës është i rëndësishëm, pasi duhet të krijojë një demokraci shumetnike, një shtëpi për të gjithë qytetarët e saj. Ai kërkoi edhe progres në reformat politike, ekonomike dhe sociale për të krijuar një vend të mirë për të gjitha komunitetet.

Delegacioni serb miraton në Zveçan një rezolutë për Kosovën

Serbët nuk i kanë rreshtur përpjekjet e tyre për të injoruar shtetin e ri edhe në ditën e festimeve të pavarësisë. Kuvendi Komunal Serb miratoi në Zveçan një deklaratë që konfirmoi statusin kushtetues të Kosovës brenda Serbisë dhe kundërshtoi çdo veprim të njëanshëm dhe separatist të ndërmarrë nga institucionet e përkohshme të Prishtinës. 42 deputetë nacionalistë serbë hynë në Kosovë me misionin për të riafirmuar, sipas tyre, sovranitetin e Serbisë. Ata u shprehën se Kuvendi Komunal Serb kundërshton të gjitha aktet që çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe i cilësoi institucionet e formuara të pavlefshme, duke iu referuar edhe Forcave të Sigurisë së Kosovës. Mediat perëndimore e cilësuan këtë seancë si një veprim provokativ pasi ky parlament nuk është legjitim. Ndërsa autoritetet kosovare janë shprehur se kjo përpjekje është vazhdimi i politikave të vjetra të Beogradit, por nga ana e një qeverie të re.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›