Korçë, ekzekutohet në pritë pogradecari me nofkën Nino
Krimi trondit qytetin e Korçës. Një vrasje e tipit mafioz ka ndodhur në mesditë në një nga lagjet e qendrës së qytetit, në një nga rrugicat e lagjes numër 1. Konflikti që solli vrasjen në Korçë duket se është "importuar" nga Pogradeci nga ku ka ardhur edhe viktima, që sipas policisë është vrarë në pritë. Avni Hoxha 47 vjeç, nga Starova e Pogradecit mendohet se është ndjekur nga persona ende të paidentifikuar që nga qyteti i tij për ta ekzekutuar më pas në Korçë, në kohë dreke pa shumë lëvizje, në një nga rrugicat e qytetit. Ngjarja ka ndodhur në orën 14.00 kur viktima kishte dalë nga shtëpia e dhëndrit të tij, ku kishte qëndruar vetëm disa minuta. Policia dyshon se ai është ndjekur nga autori i krimit, i cili ka gjetur një moment të përshtatshëm kur në rrugicë nuk ka pasur lëvizje. Autori i kësaj ngjarjeje ka qëlluar 47-vjeçarin me pistoletë duke zbrazur të paktën 7 plumba në drejtim të tij, ndërkohë që viktima ka qenë në timon, të paktën 30 metra me larg nga shtëpia e dhëndrit të vet korçar. Sipas policisë, 47-vjeçari ka lënë vajzën e tij të martuar në këtë lagje dhe pasi ka dalë nga shtëpia ka hipur në makinën tip "Volkswagen golf" me targa PG2383B, por pa marrë mirë kthesën ai është qëlluar në mungesë të dëshmitarëve okularë. Makina është përplasur më pas në murin e një shtëpie. Ka qenë shitësja e një dyqani përballë me mjetin ku ndodhej viktima që ka njoftuar banorët e më pas policinë, ndërkohë që sipas banorëve, ata kanë dëgjuar të shtëna të shumta, por kanë menduar se janë fishekzjarrë. 47-vjeçari Avni Hoxha është transportuar drejt spitalit ku dhe ka vdekur disa minuta pas mbërritjes, për shkak të plagëve të marra në trup nga plumbat. Burimet e policisë kanë thënë se ai ka pasur të paktën katër plagë plumbash. Sipas policisë, mendohet se autori ka qenë këmbësor dhe i ka zënë pritë viktimës së tij te kthesa e rrugicës. Për shkak të rrugicave të shumta, autori ka mundur të largohet pa rënë në sy dhe policia dyshon se ai ka dalë më pas në kodrat e qytetit, që janë pranë vendit ku ka ndodhur krimi, duke shmangur kështu edhe dëshmitarët okularë. Sipas shpjegimeve të policisë, autori ka pritur në kthesën më të afërt me banesën ku ishte futur viktima dhe ka dalë papritur ndërsa 47-vjeçari afrohej me mjet. Kur Avni Hoxha ka qenë duke marrë kthesën e rrugicës tjetër, autori ka dalë përballë tij në një distancë shumë të afërt dhe e ka qëlluar disa herë me pistoletë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policore, që pasi kanë rrethuar vendin e krimit kanë marrë në pyetje vajzën e viktimës, por edhe banorë të zonës, në rast se ata kanë parë persona të dyshimtë. Pogradecari Avni Hoxha, sipas hetimeve paraprake të policisë, mund të jetë vrarë për larje hesapesh. Të gjitha dyshimet e policisë çojnë te një autor i vetëm, dhe që është nga qyteti i Pogradecit. Viktima njihej në zonën e tij me pseudonimin Nino. Sipas policisë, ai njihej si person problematik dhe motivi i vrasjes po kërkohet te konfliktet e vjetra që mund të ketë pasur. Ndërkohë, sipas policisë, pista kryesore e hetimit është ajo e larjes së hesapeve. Vajza e viktimës, ka qenë personi i fundit që e ka parë 47-vjeçarin, por sipas policisë ajo ka deklaruar se nuk ka parë asnjë makinë të dyshimtë në afërsi, gjë që konfirmon se autori ka qenë i vetëm më këmbë edhe pse nuk përjashtohet mundësia që të ketë bashkëpunëtorë, të cilët e kanë ndihmuar të largohet nga vendi i ngjarjes. Sipas të afërmve të Hoxhës, ai nuk ka pasur konflikte kohët e fundit dhe nuk ka shfaqur asnjë shenjë shqetësimi pas mbërritjes në Korçë. Por ndryshe nga herët e tjera, ai nuk ka qëndruar gjatë në shtëpinë e dhëndrit dhe është larguar menjëherë pasi ka lënë vajzën aty.