E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthen bombola e gazit, plagosen rëndë katër anëtarë të një familjeje

Katër persona, tre prej tyre pjesëtarë të një familjeje kanë mbetur të plagosur rëndë për shkak të shpërthimit të një bombole gazi në banesë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në Tiranë, ndërkohë që katër të dëmtuarit, ndodhen në spital, ku janë në gjendje kritike për jetën. Burrë e grua, bashkë me të miturin e tyre të paralizuar, kanë qenë duke ndenjur në shtëpi, kur u kishte ardhur për vizitë edhe një e afërm. Papritur ka shpërthyer bombola e gazit në formën e eksplozionit, duke iu vënë flakën të gjithë të pranishmëve, të cilët kanë pësuar djegie në masën 70%. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se Komisariati Nr. 4, në orën 09.30, në rrugën "Myslym Keta", është njoftuar se është djegur banesa e shtetasit Fadil Ali Lika, 51 vjeç, lindur dhe banues në adresën e mësipërme. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet zjarrfikëse dhe policia, të cilët u kanë dhënë ndihmën e parë të dëmtuarve dhe kanë shuar flakët. Nga kryerja e veprimeve hetimore, rezultoi se në banesë ka shpërthyer bombola e gazit në formën e eksplozionit, e cila ka qenë me defekt. Për pasojë janë dëmtuar të gjithë pjesëtarët e familjes, ku në gjendje kritike për jetën janë Nadire Lika, 42 vjeçe dhe djali i saj, Eridion Lika, 9 vjeç, i cili ka qenë i paralizuar më parë. Por, edhe Fadil Lika dhe Hanke Zeqiri, 56 vjeçe, kanë pësuar dëmtime serioze për jetën dhe ndodhen të shtruar në pavijonin e djegies në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës "Nënë Tereza". Policia tha se dy të fundit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që edhe dëmet materiale janë të konsiderueshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›