E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, gjendet i vetëvarur ish-kampioni i volejbollit

 

KORÇE/ GEZIM ASHIMI

Vetëvaret në rrethana misterioze ish-kampioni i volejbollit në vend, Albert Shahu. Trupi i pajetë i 46-vjeçarit, ish-volejbollist i njohur jo vetëm në Korçë, por dhe rang kombëtar, u gjet nga familjarët e tij në orët e pasdites së djeshme. Burimet e policisë së Korçës bënë të ditur se rreth orës 15:00 është dhënë njoftimi për ngjarjen e rëndë. Shahu ka qenë i vetëm në shtëpi, në apartamentin e tij, në lagjen e quajtur “Francezët”. Ai ka dalë në ballkonin e apartamentit, duke kryer me anë të një litari vetëflijimin e duke u larguar nga kjo jetë në mister. Një grup hetimor ka shkuar në vendngjarje, duke punuar për zbardhjen e shkaqeve që çuan Shahun deri në vendimin ekstrem. Mësohet se prej vitesh ai ishte marrë me volejbollin, nga sportist duke u bërë trajner i ekipit të të rinjve në klubin “Skënderbeu” në Korçë. Dy vitet e fundit ai e kishte lënë këtë detyrë, duke punuar si mësues fizkulture në një nga shkollat e mesme të qytetit. Të njohur të tij thanë dje se prej disa ditësh e kishin parë Albertin në gjendje depresive, por pa e ditur shkakun. Madje, që nga fillimi i javës ai nuk ishte paraqitur as në punë. Policia po merr në pyetje bashkëshorten e viktimës, e cila është gjithashtu sportiste, duke trajnuar ekipin e femrave të volejbollit. Mësohet se dhe dy vajzat e Shahut merren me volejboll, pas trashëgimit të këtij pasioni nga prindërit. Në qytetin e Korçës flasin me respekt për ish-volejbollistin, i cili arriti me skuadrën e tij rezultate të larta në kampionate.
Ai u aktivizua me ekipin e volejbollit të klasave sportive që në moshën 11-vjeçare dhe u shpall kampion Shqipërisë në vitet 1974-1976. Më pas kaloi në ekipin e të rinjve të “Skënderbeut” ku luajti me sukses në vitet 1978-1982, duke u shpallur sërish kampion. Në vitin 1982, Shahu kreu studimet në Institutin e Fizkulturës, ku gjatë aktivizimit me ekipin “Studenti” fitoi vendet e nderit në disa ballkaniada. Gjatë viteve 2004-2007 ka qenë trajner i përfaqësueses të Shqipërisë për ekipin e para të rinjve dhe ka marrë pjesë me sukses në kampionatet ndërkombëtare të zhvilluara në Turqi, Serbi, Moldavi e Rumani. Po si trajner ka kryer disa kualifikime duke arritur si trajner ndërkombëtar, deri tek niveli i dytë i FIVB (Federata Ndërkombëtare e Volejbollit).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›