E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdesin në aksident tre persona

 

KURBIN/ KORÇE - Një aksident i rëndë u mori jetën dy të rinjve në superstradën Fushë-Krujë – Lezhë. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 00:30 në kryqëzimin e rrugës së Patokut, kur motori me të cilin po udhëtonin doli nga rruga. Mësohet se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën Fatjon Deda, 26 vjeç dhe Erion Thaçi, 28 vjeç, të dy nga qyteti i Laçit. Ata po ktheheshin nga Tirana kur mjeti i tyre tip “Suzuki” me targa italiane FO 163192, doli nga rruga dhe si pasojë gjetën vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, në drejtimin e motorit ka qenë Fatjon Deda, i cili ishte emigrant në Itali dhe kishte pak ditë që kishte ardhur. Dy të rinjtë duket se nuk e kanë njohur mirë rrugën, e cila është në rikonstruksion. Në këtë aks mungon sinjalistika, ndërsa zgjerimi i saj nuk është bërë në të gjithë gjatësinë, por me pjesë të shkëputura. Aksident me vdekje ndodhi dje edhe në Korçë. Blutë arrestuan 23-vjeçarin Fredi Xhaferasi, nga fshati Poptisht, i cili akuzohet për aksident me pasojë vdekje dhe largim nga vendi i ngjarjes. Duke drejtuar automjetin tip “Mitsubishi” me targë KO 0474 B, tek stacioni i furgonave të Korçës ai aksidentoi shtetasin P.Caci, 53 vjeç.                     r.n/ g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›