Korçë, hetohet për kanosje kryeplaku i Zëmblakut
****Sipas policisë, Bilal Mullalli kërcënoi me armë një bashkëfshatarin e tij pas një sherri për një lojë
Policia: 41-vjeçari do të hetohet në gjendje të lirë. Bashkëfshatari, në hetim për shkatërrim të makinës
Korçë-Kryeplaku i një fshati të Korçës është nën hetim në gjendje të lirë për veprën penale të kanosjes. Lajmi bëhet i ditur nga policia e Korçës, e cila sqaron se Bilal Mullalli është shoqëruar mbrëmjen e vonë të së mërkurës në komisariat pasi akuzohet për kanosje të një bashkëfshatari të tij, pas një sherri që kanë pasur mes tyre. Sipas burimeve policore, Mullalli, përfaqësues i Partisë Demokratike, ka qenë më parë i dënuar për vrasje dhe si i tillë është person me precedentë penalë. Për këtë gjatë zgjedhjeve PS-ja e ka kundërshtuar fort këtë alternativë.
***
Kryeplaku i fshatit Zëmblak, 41-vjeç, është përfshirë në një konflikt me një bashkëfshatar, pas një loje mes tyre, për të cilën kishin hedhur edhe bast. Ngjarja ndodhi në fshatin ku Mullalli është në pozicionin e kryeplakut, zgjedhur nga mazhoranca qeverisëse, në komunën e Pojanit, në Korçë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, gjithçka që nisi si lojë, rrezikoi të përfundonte shumë keq, në përplasje me armë, sikur persona të tjerë të mos kishin ndërhyrë për shuarjen e sherrit. “Kryeplaku i armatosur me pistoletë ka hyrë në një konflikt me Feti Mullën, 42-vjeç, pas një basti të vendosur mes njëri-tjetrit në bixhoz”,- thonë burimet zyrtare. Duke iu referuar burimeve të policisë lokale, mësohet se dy personat e përfshirë më pas në këtë ngjarje kanë luajtur bixhoz me njëri-tjetrin, ndërsa i humburi në këtë rast duke hyrë dhe në borxh ka mbetur kryeplaku, përfaqësues i PD-së. Ndërsa fitimtari i ka kërkuar të hollat që i kishte fituar dhe nuk po i jepeshin. Atëherë ai ka vendosur që këtë të fundit ta bëjë të “arsyetojë”, duke i thyer xhamin e makinës tip benz me targë të Devollit DV 1340 A. Në fakt ky veprim duket se nuk është kapërdirë mirë nga kryeplaku, i cili në gjaknxehtësi e sipër ka kërcënuar me pistoletë bashkëfshatarin. Nga vendi i ngjarjes mësohet se madje ai edhe ka tentuar të qëllojë në drejtim të Mullës. Për fat të mirë gjithçka është ndalur nga persona të tjerë, që kanë qenë prezentë gjatë sherrit.
***
Ndërkaq një telefonatë e mbërritur në policinë e Korçës, ka dërguar blutë me urgjencë në vendin e ngjarjes, duke nisur edhe hetimet për të. Mësohet se fillimisht kryeplaku nuk ka pranuar të shoqërohet në polici, por më pas është bindur. “Bashkë me kryeplakun, në ambientet e komisariatit është dërguar edhe personi tjetër i përfshirë në konflikt për të dhënë të dy dëshmitë e tyre e kështu edhe versionin e ngjarjes”,- thanë burimet policore. Sipas këtyre burimeve, ndaj të dy personave të shoqëruar ka nisur procedimi penal. Kryeplaku mësohet se do të ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale të “Kanosjes”, ndërsa ndaj personit tjetër ka nisur çështja penale për akuzën e “Shkatërrimit të pronës”.
Xhon Baka