Vizita e Topallit në Strasburg, Kuvendi mbyll dyert
TIRANË- Largimi i kryeparelamentares Jozefina Topalli në një vizitë zyrtare në Strasburg, duket se është bërë përsëri shkak për bllokimin e punimeve të Kuvendit në seancë plenare. Megjithëse zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur dje se shkak për mos mbledhjen seancës plenare është bërë pikërisht mungesa e projektligjeve për t’u diskutuar, nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erion Braçe, në një dalje të posaçme për mediat, ka denoncuar këtë si një veprim skandaloz dhe të qëllimshëm të drejtueses Jozefina Topalli. Sipas Braçes, argumenti i dhënë nga zyra e shtypit e drejtueses së Kuvendit nuk qëndron, pasi, sipas tij, prej kohësh para deputetëve qëndrojnë për t’u diskutuar dhe miratuar një sërë projektligjesh të rëndësishme. “Shpreh shqetësimin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me krijimin e një precedenti tejet skandaloz për seriozitetin e shtetit shqiptar e më pas dhe të Kuvendit të Republikës”,- u shpreh Braçe. Sipas tij, udhëtimet e Kryeparlamentares, përveçse sjellin një kosto të madhe për buxhetin e shtetit shqiptar, kanë krijuar në mënyrë të përsëritur pengesa në zhvillimin normal të jetës së Kuvendit në seancë plenare. “Sot (dje) Kuvendi nuk punon, sepse Kryetarja e tij është në udhëtim familjar malli jashtë shtetit, me paratë publike të shqiptarëve”, - theksoi Braçe, edhe pse kjo deklaratë është kundërshtuar zyrtarisht dje nga PD. Numri dy i deputetëve socialistë ka sjellë në vëmendje të medias se gjatë mbledhjes së fundit të Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare ishte përcaktuar që të enjten e 22 majit të shqyrtoheshin disa projektligje, përfshi këtu edhe atë për pensionet e minatorëve. “Sot në Kuvend, duhej shqyrtuar, diskutuar e debatuar, ndërkohë që ne shpresonim edhe miratuar, ligji për pensionet e parakohshme të minatorëve, të propozuar nga ne dhe që synon afrimin e masës financiare të paguar për ta me pensionin minimal të pleqërisë në qytet, me një faturë financiare, për më pak se 1 milionë dollarë në vit”,- tha Braçe. Ndërkohë, duke argumentuar se bllokimi i punimeve nga ana e Kryeparlamentares ka qenë i qëllimshëm, ai ka theksuar se prej kohësh në Kuvend qëndrojnë një sërë kërkesash për interpelanca me kryeministrin Sali Berisha, përfshi këtu edhe për çështjen e Gërdecit. Nga ana tjetër, nënkryetari i grupit socialist, ka theksuar se largimi i Kryeparlamentares ka bllokuar dhe vazhdimin e procedurave për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit të deputetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut. “Në Kuvend endet edhe kërkesa e Prokurorisë për leje, për të marrë nën procedim penal ish-ministrin e Mbrojtjes. Siç ne kishim paralajmëruar, Parlamenti, me dëshirë dhe nën presionin e Berishës, po pengon hetimet për krimin shtetëror të Gërdecit, me 26 të vrarë e 300 të plagosur, hetime të cilat kanë mbetur në vend. Natyrisht, që ky pengim nuk po ndodh për shkak të rregullave parlamentare, por në mënyrë të qëllimtë po pengohet drejtësia nga Sali Berisha dhe familja e tij e përfshirë në këtë krim shtetëror. Kryetarja e Kuvendit, natyrisht, si gjithnjë po bën shërbesën e denjë të Sali Berishës të vënë kësaj radhe nën akuzë”, - theksoi Braçe. Por pamundësia për të zhvilluar punimet në seancë plenare dje Kuvendi ka vijuar aktivitetin në mbledhjen e komisioneve të përhershme, ku natyrisht u diskutuan një sërë projektligjesh shumë të rëndësishëm, siç është ai për legalizimet, apo edhe ai për pensionet suplementare për punonjësit e Gardës së Republikës.
F. Braushi
Kryetarja e Kuvendit zhvilloi dje takim me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës
KE mbështet konsensusin PD-PS për reformat
TIRANË- Reformat e kohëve të fundit të ndërmarra me konsensus nga politika shqiptare janë përshëndetur edhe nga Këshilli i Evropës. “Shqipëria ka bërë progres dhe reformat e ndërmarra janë të admirueshme”,- kështu u shpreh kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Luis Maria de Puig, në takimin që ai pati dje në mesditë me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, në selinë e Këshillit të Europës. Gjatë takimit, kryetarja Topalli e njohu drejtuesin e lartë të Këshillit të Europës me reformat më të fundit të ndërmarra nga Kuvendi i Shqipërisë, duke u fokusuar kryesisht në reformën fiskale, pavarësisht se ajo u miratua pa pëlqimin e opozitës. “Ditët e fundit, Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese, në një klimë shumë të mirë bashkëpunimi dhe konsensusi midis dy forcave më të mëdha politike në vend. Unë jam shumë e kënaqur me këto ndryshime kushtetuese, pasi ato shmangin krizat dhe krijojnë stabilitet politik në vend”,- u shpreh Topalli. Gjithashtu, ajo ka vlerësuar se Shqipëria ka ende sfida të tjera përpara dhe është e vendosur për t’i përballuar ato me sukses. Nga ana e tij, kreu i Asamblesë Parlamentare të KE-së, De Puig u shpreh i kënaqur për progresin që Shqipëria ka bërë. “Reformat kushtetuese nuk janë të lehta për t’u bërë në të gjitha vendet, por reforma kushtetuese e Shqipërisë është e admirueshme”,- tha ai. Lidhur me situatën në rajon, kryetarja Topalli u shpreh se: “Pavarësia e Kosovës sjell stabilitet dhe paqe në rajon. Ne urojmë që së shpejti Kosova t’i bashkohet vendeve anëtare të KE-së”. Pas takimit të dy bashkëbiseduesit dhanë një prononcim për mediat e interesuara, duke vlerësuar bashkëpunimin midis Parlamentit të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Shqiptar. Topalli ndodhet në Strasburg, për të marrë pjesë në Konferencën Politike të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës.
f.b