Vrasësi i 28 vjeçarit në Durrës: Vrava për gjakun e vëllait
/>Policia e Durrësit ka prangosur autorin e vrasjes së 28- vjeçarit dy ditë më parë. Qemal Cërriku, 20 vjeç, lindur dhe banues në lagjen numër 15 Durrës, u prangos nga efektivat blu, pasi rreth orës 17:00 të pasditës së diel në lagjen 18, pikërisht prapa stadiumit ka ekzekutuar më armë zjarri 28- vjeçarin, Denis Zani, i cili po lëvizte në këtë aks rrugor në këmbë.
Ekspertë të çështjes pohojnë se 28- vjeçari Zani është qëlluar tre herë në pjesë të ndryshme të trupit. Por plumbi që ka marrë prapa kokës, ka qenë fatal për jetën e 28- vjeçarit, i cili ka ndërruar jetë vetëm pak minuta pas ngjarjes, duke mbetur i vdekur në vend. Ndërsa autori i krimit, i cili e ka braktisur viktimën, vetëm pasi është siguruar që ka vdekur, është prangosur nga policia dy orë pas ngjarjes. Në momentin e arrestimit autori i krimit nuk ka bërë rezistencë ndaj efektivave blu, duke u dorëzuar menjëherë pas thirrjes nga ana e këtyre të fundit. 20- vjeçari Cërriku është shoqëruar në komisariatin e policisë së Durrësit dhe menjëherë pas dëshmisë së tij, policia i ka prerë dhe fletë-arrestin. Informacione nga policia lokale bënë me dije se i riu e ka pranuar autorësinë e vrasjes, duke thënë se kështu ka vendosur drejtësi. Ndërsa ka shpjeguar për policinë arsyen e këtij krimi, 20- vjeçari Cërriku ka pohuar se tre vite më parë, Denis Zani së bashku me persona të tjerë kanë keqtrajtuar vëllain e tij, duke e rrahur në mënyrë barbare. Si pasojë e plagëve të shumta që vëllai i tij Marjo Cërriku kishte marrë në pjesë të ndryshme të trupit, ka qëndruar tre ditë në koma, ku ka ndërruar jetë ditën e katërt. Gjaku i vëllait nuk më la të qetë, prandaj kam pritur tre vjet deri në momentin që vrasësi i vëllait tim doli nga burgu për të marrë hak ndaj tij, ka dëshmuar në polici, autori i krimit, 20 vjeçari Qemal Cërriku. Menjëherë pas marrjes se njoftimit, në Sallën Operative Shërbimet e Komisariatit të Policisë në bashkëpunim me Sektorin e Luftës Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës shkuan në vendngjarje dhe pas veprimeve të para, në bazë të një pune të mirworganizuar u arrit të identifikohet autori i kësaj ngjarjeje të rëndë dhe falë veprimeve të shpejta e profesionale u bë e mundur kapja e tij në vendin e quajtur "Tre çezmat" në lagjen 15 të qytetit. Ndërsa arma me të cilën është kryer krimi, është gjetur e hedhur ë anë të rrugës nga efektivat e policisë vetëm pak metra larg vendit ku dhe është zhvilluar ngjarja. Nga ana e policisë u bllokua në cilësinë e provës materiale arma me të cilën është kryer krimi, pushkë automatike model 56, e cila rezultoi të kishte dhe një fishek në fole. Arma u gjet në një largësi jo shumë të madhe nga vendi i ngjarjes, nga efektivat e policisë.