Xhufi: Berisha-Topalli të heqin dorë nga ligji i lustracionit
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim pas vendimit të pezullimit të ligjit të Dosjeve nga Gjykata Kushtetuese i bëri thirrje qeverisë që të heqë dorë nga zbatimi i këtij ligji dhe të kërkojë urgjentisht asistencë dhe ekspertizë ndërkombëtare, e cila i është ofruar, dhe me bollëk, për të rishikuar ligjin, në rast se ajo insiston vërtet të ketë një ligj të ri për lustracionin.
Kjo deklaratë erdhi dje nga zv/kryetari dhe kryetari i grupit parlamentar në LSI, Pëllumb Xhufi. LSI vëren me shqetësim qëndrimin kokëfortë e të papërgjegjshëm të mazhorancës së tërhequr për hunde nga dyshja Berisha-Topalli, lidhur me të ashtuquajturin Ligj për Pastërtinë e figurës së zyrtarëve,- u shpreh Xhufi. Sipas tij, si asnjëherë tjetër, qeverisja e PD e ka kompromentuar pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, teksa për çështjen e ligjit në fjalë, ka tërhequr mbi vete shigjetat e të gjithë partnerëve të ngushtë evropianë e auroatlantikë të Shqipërisë. Ai pohoi se Opozita shqiptare, shoqatat e ndryshme të gjyqtarëve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit e kanë denoncuar tashmë ligjin e fundit PD-ist si një ligj antikushtetues. Partnerët tanë të huaj, tha Xhufi e kanë denoncuar me forcë Ligjin në fjalë, si ligj të papërshtatshëm, të vonuar dhe përsëritës, si ligj antikushtetues dhe si ligj që mban vetëm vulën e mazhorancës, sikur të ishte një vendim i Këshillit të Ministrave, ndërkohë që do të duhej të ishte ligji konsensual. Sipas Xhufit, ligji i ri i lustracionit nuk synon aspak t'i drejtohet viktimave të persekutimit komunist e këtë më mirë e dinë ata qindra e mijëra individë që i përkasin kësaj shtrese. Akoma më shumë, zoti Berisha dhe zonja Topalli që kanë marrë flamurin e kësaj nisme, me anë të këtij ligji antikushtetues, u shpreh ai, kërkojnë të godasin edhe një objektiv konkret, që janë prokuroria dhe gjykatat, që në këto momente dhe jo rastësisht në këto momente po merren me hetimin dhe gjykimin e disa akteve të rënda abuzive dhe korruptive, ku janë të implikuar ata vetë. Xhufi tha se në këtë mënyrë, iniciuesit e ligjit më të ri të dosjeve dhe të lustracionit ndodhen në një konflikt të pastër interesi. Ata kërkojnë të shfrytëzojnë autoritetin e Parlamentit dhe shumicës parlamentare që zotërojnë në këtë parlament, për të kaluar një ligj që godet gjykuesit e krimeve dhe të abuzimeve të tyre. Deri tani kryeministrit, dhe zonja Topalli, kanë refuzuar të konsultohen me grupet e interesit këtu në Shqipëri dhe ç'është më e rënda, kanë hedhur pishtë oefrtat e përsëritura të partnerëve ndërkombëtarë për të qenë ndihmës dhe për të asistuar në përpunimin e këtij ligji. Ai deklaroi se ne paralajmërojmë mazhorancën dhe krerët e saj të mos vazhdojë me tentativat e veta që në emër të gjoja luftës kundrë komunizmit, ta izolojë edhe një herë Shqipërinë si në kohën e monizmit. E bindur në karakterin politik e antikushtetues të ligjit Për pastërtinë e figursë së zyrtarëve, u shpreh Xhufi Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur që në fillim kundër çdo iniciative ligjore nga mazhoranca apo nga opozita për një çështje që ka qenë objekt i disa ligjeve të mëparshme. Ai iu referua ligjit të vitit 1995, të kaluar nga PD atëherë në pushtet, apo amendimeve të vitit 1997, kur në pushtet ishte PS.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1