Korçë, kanabisi pranë kufirit u mboll nga një kryeplak
Kryeplaku i fshatit Mbreshtan në Korçë rezulton të jetë autori i kultivimit të një parcele me plot 559 rrënjë kanabis sativa të zbuluar nga policia pak ditë më parë. Policia e Korçës ka bërë të ditur se është arrestuar kryeplaku i një fshati në Rrethin e Kolonjës, pas zbulimit të një parcele me një sasi të konsiderueshme bimësh narkotike. Bashkë me kryeplakun e Mbreshtanit, Kujtim Rushiti, në prangat e policisë kanë rënë edhe dy bashkëfshatarë të tij, të dyshuar si kultivues të bimëve të ndaluara.
Vetëm dy ditë më parë policia rajonale e Korçës dhe ajo kufitare zbuluan një parcelë me bimë narkotike në afërsi të fshatit Mbreshtan, ndërsa zona e fotografuar u vu nën mbikëqyrjen e forcave policore, deri në shfaqjen e personave që kishin kryer edhe kultivimin e tyre. Kryeplaku i këtij fshatit, Kujtim Rushiti, 47 vjeç, si dhe bashkëfshatarët e tij, Aqif Dodo dhe Et’hem Beqo, janë arrestuar nga policia si përgjegjës për mbjelljen e parcelës me bimë narkotike në një zonë mes pyllit të quajtur Dedovë.
Kanë qenë të paktën 559 rrënjë kanabis që janë konstatuar në parcelën që është zbuluar rastësisht dhe për të cilën akuzohet kryeplaku i fshatit Mbreshtan.
Policia tha se ndaj kryeplakut rëndojnë akuzat "shpërdorim detyre", "moskallëzim krimi" dhe "kultivim i bimëve narkotike". Dy bashkëfshatarët e tij janë arrestuar vetëm me akuzën për kultivim të bimëve narkotike.
Sipas policisë, një tjetër person ka qenë i interesuar për kultivimin e bimëve të drogës dhe është shpallur në kërkim. Ali Dedgjoni, 44 vjeç, banues në Memaliaj të Tepelenës, akuzohet gjithashtu si bashkëpunëtor në kultivimin e bimëve narkotike të gjetura në Mbreshtan, pranë kufirit shqiptaro-grek.
Kryeplaku i Mbreshtanit është arrestuar jo vetëm se ligji e dënon për moskallëzim të mbjelljes së bimëve narkotike, por edhe si të përfshirë në kultivimin e tyre.
Dy ditë më parë, policia e Shkodrës arrestoi një kryeplak dhe dy punonjës të policisë pyjore, pasi në zonën që ata mbulonin u zbuluan parcela të mbjella me kanabis sativa në toka pa pronarë.
#