Korçë, kapet i dyshuari si grabitës automjetesh, ndaj tij figurojnë disa vjedhje
Korçë - Forcat e policisë së Korçës kanë ndaluar 21-vjeçarin Elton Beluli, lindur dhe banues i këtij qyteti, i cili figuron si i dyshuar për disa vjedhje makinash të realizuara në Korçë. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, policia konfirmon se ai është autor i vjedhjes së automjetit tip “BMV” me targë KO 5955 B, ngjarje e ndodhur në datë 28.05.2009, i vjedhjes së automjetit tip “Benz” me targë KO 2938 B, si dhe e vjedhjes së automjetit tip “Fiat” me targë TR 9127 G, ngjarje e ndodhur më datë 28.05.2009. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale një trapan elektrik, i cili dyshohet të jetë vjedhur nga personi i mësipërm, ku në ngarkim të tij u kryen veprimet procedurale për veprën penale të “vjedhjes” parashikuar nga neni 134/1 i Kodit Penal.
Krimet e Rënda refuzojnë pendesën për vrasjen e dy policëve
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda refuzoi pendesën e autorit të vrasjes së dy policëve në Kukës. Gjatë seancën së djeshme, kolegji penal, pasi ka dëgjuar kërkesën e të pandehurit, vendosi ta refuzonte atë për shkak të veprës penale për të cilën ai akuzohet. I pandehuri Afrim Hasani kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, tentativë kjo për t’i shpëtuar burgimit të përjetshëm.
Afrim Hasani akuzohet për vrasjen e dy policëve, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj. Krimi ka ndodhur mbrëmjen e 23 marsit në Shën Mëri të Kukësit, teksa autori ka hyrë në lokalin Isa Dobrushit ku ndodheshin dy efektivët dhe i ka qëlluar për vdekje me automatik.
Filli nis pasi vetë Afrim Hasani ishte konfliktuar me dy policët gjatë një kontrolli për një ngjarje më 16 mars në një lokal, ku i pandehuri së bashku me një tjetër person kishin shkaktuar rrëmujë e thyer objekte për shkaqe të pamotivuara.
Avokaturës së Shtetit i shtohet një ekip i ri juristësh
Tiranë - Avokaturës së Shtetit dje iu shtua një ekip i ri, i cili duhet të zbatojë edhe rregulla të reja me ndryshimin e ligjit. Në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua ceremonia e certifikimit për shumë juristë që kaluan një fazë konkurrimi disa mujore për të pasur këtë detyrë. Sipas njoftimit zyrtar nga kjo ministri bëhet e ditur se takimi u realizua edhe në kuadër të projektit “Mbështetje për forcimin dhe konsolidimin e Avokaturës së Shtetit të Shqipërisë” që implementohet nga Spanja përmes Agjencisë Spanjolle të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID) në bashkëpunim me Avokaturën e Përgjithshme të Shtetit të Spanjës dhe Avokaturës së Shtetit të Shqipërisë. Në ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj, ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Shqipërisë, Eduard Halimi dhe Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Spanjës, Joaquin de Fuentes. Me anë të këtij projekti, është mbështetur hartimi i Ligjit të Avokaturës së Shtetit të Shqipërisë si dhe Rregulloret për zhvillimin e tij. Zbatimi i projektit pritet të përmirësojë organizimin e brendshëm dhe formimin e Avokaturës së Shtetit të Shqipërisë, e për më tepër duke ushtruar në mënyrë më efikase funksionin mbrojtës të Shtetit përballë gjyqeve, do t’i lejojë të marrë funksione të tjera si vlerësimi paraprak i kontratave dhe marrëveshjeve juridike të ndërmarra nga shteti, vlerësimi i projektligjeve, si dhe të përfaqësojë shtetin shqiptar përballë gjyqeve ndërkombëtare të organizmave ndërkombëtarë, ku Shqipëria aderon, si Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe përballë Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian.
30 Maj 2009