Korçë, kishat në shënjestër të hajdutëve, 3 vjedhje brenda javës

Vjedhjet e objekteve të kultit janë kthyer në shënjestrën më të re të hajdutëve në rrethin e Korçës. Vetëm brenda harkut kohor të një jave regjistrohen vjedhjet e tre kishave, ndërkohë që në asnjë rast policia nuk ka ndaluar autorin e tyre, ndonëse vjedhjet duket se janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. Por në 24 orët e fundit janë vjedhur dy kisha në pika të ndryshme strategjike, njëra në Korçë dhe më e fundit në fshatin Mborje.
Policia ka nisur hetimet, ndërkohë që sulme të tilla ndaj objekteve të kultit duket se ishin harruar, por janë rikthyer në modë sërish madje në të njëjtën mënyrë. Mendohet që vjedhësit të jenë përdorues droge, ndërsa nuk po shmangin as kishat në rrethin e Korçës. Vjedhjet realisht janë kthyer në një vepër të zakonshme penale në juglindje, ndërsa shifrat gjithmonë në rritje tregojnë për rritje të hajdutëve kryesisht të banesave dhe lokaleve. Por në morinë e shumtë të hajdutëve që qarkullojnë në rrethin e Korçës ende e pazbuluar mbetet autorësia e tre vjedhjeve të tre kishave brenda një jave në këtë rreth. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë, mësohet se vjedhja e fundit është regjistruar në kishën e Shën Mërisë në afërsi të fshatit Mborje. Hajdutët kanë shpërthyer derën kryesore të këtij objekti dhe më pas kanë vepruar me të njëjtën mënyrë të dhunshme për të shkatërruar dhe kasafortën ku mblidheshin të hollat e besimtarëve, të cilët kryejnë rritin e lutjes për probleme të tyre të ndryshme, por dhe si një ritual i vjetër i besimit ortodoks. Hajdutët dyshohet se mund të jenë dy persona, të cilët nuk janë trembur as nga Zoti dhe ndëshkimi i tij, ndërsa kanë rrëmbyer gjithçka ndodhej në kasafortën metalike të kishës. Policia njoftoi se nuk ka autor për këtë rast, por po punon për zbulimin dhe arrestimin e tyre. Ndërkaq, gjatë të martës në mëngjes është konstatuar vjedhja e kishës së Shën Thanasit në kodrat e qytetit të Korçës. Kisha, e cila jo rrallëherë është bërë objekt i vjedhjeve, ka qenë ndalesa e hajdutëve. Policia edhe në këtë rast ka nisur hetimet, por ska mundur të thotë nëse është në gjurmë të autorëve ose jo. Ka qenë një nga njerëzit që shërben për këtë kishë, i cili ka zbuluar vjedhjen me thyerje të kasafortës ku hidhen lekët e besimtarëve, që shkojnë në shtëpinë e Zotit në mënyrë të vazhdueshme. Policia edhe për këtë rast bën me dije se është duke hetuar ngjarjen, por nuk dihet nëse është pranë emrave të autorëve të këtyre vjedhjeve, ose jo. Por gjatë javës së shkuar, një tjetër vjedhje kishe është regjistruar në majën e malit të Moravës, po në qytetin e Korçës, aty ky është vendosur dhe kryqi i madh, simbol i fesë ortodokse. Gati me të njëjtën mënyrë janë grabitur të gjitha të hollat që ndodheshin në këtë kishë. Nuk dihet sasia e të hollave të grumbulluara në kasafortat e tre kishave të lartpërmendura, ndërsa akti i dhunimit të një objekti kulti nga ana tjetër ka shqetësuar në masë besimtarët ortodoksë në juglindje. Hajdutët të pashqetësuar nga askush i kanë gjetur si vendet më të mira kishat, ndërsa brenda harkut kohor të shtatë ditëve kanë vjedhur pa asnjë problem dhe të pashqetësuar nga policia këto objekte të rëndësishme kulti. Duke iu referuar burimeve të policisë lokale, për të tre rastet e vjedhjeve dyshohet që të jetë i njëjti grup organizatorësh. Kjo pasi mënyra e hapjes së dyerve dhe shkatërrimit të kasafortave ngjan në mënyrë të përsosur me tjetrën, por sipas të njëjtave burime që vijnë nga grupi i hetimit dyshohet gjithashtu të hajdutëve të jenë përdorues droge.