Gjinushi: Fjala e Berishës, e pabesë
Në kuadër të organizimit dhe forcimit të strukturave socialdemokrate, për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009, u zhvillua konferenca e rradhës në Njësinë 8,Tiranë. Kreu i PSD ka qenë i pranishëm në këtë konferencë, i cili theksoi se PSD është një parti konseguente, është një parti që i jep forcë të majtës dhe gjithnjë ka punuar vetëm për bashkimin dhe jo për ndarjen. Ne kemi qenë bashkë me socialistët në pozitë dhe opozitë, PSD është në krah dhe në përbërje të një koalicioni të madh, të një bashkimi të madh, i cili do të çojë patjetër në fitore të thellë në qershor 2009. Gjinushi ka vlerësuar rolin dhe rëndësinë e PSD.
Ne gjithnjë e kemi mbështetur votën mbi identitetin tonë; mbi individualitetin e PSD, mbi kontributin e PSD. Ne vlerësojmë që PSD është një forcë në rritje, e konsoliduar, sepse PSD është, ndoshta nga të vetmet parti që respekton mandatin; që respekton premtimet; që nuk bën premtime të bujshme dhe nuk mashtron kurrë, jo si qeveria aktuale që për 4 vjet me rradhë nuk ka ditur të realizojë e mbajë asnjë premtim., u shpreh ai. Gjinushi nuk ka lënë pa përmendur dhe akuzat ndaj kryeministrit. Berisha është i papajtueshëm me parimet e demokracisë e për të dalë nga kjo krizë ekonomike, ky konflikt i përhershëm institucional, ku Berisha përplaset me çdo lloj presidenti, çdo lloj prokurori, çdo lloj institucioni, zgjidhja është një e vetëlargimi i qeverisë së Sali Berishës, u shpreh Gjinushi, duke shtuar se kjo qeveri nuk ka kryer asnjë reformë, ne jemi i vetmi vend në Ballkan që kemi kusht zgjedhjet e lira. Sipas tij, Berisha është kryeministër i fjalës së mbajtur vetëm për krime e vjedhje, premtoi dyfishim të pagave e pensioneve, dyfishoi çmimet dhe vjedhjet. Korrupsioni i kësaj qeverie është i dimensioneve të papara, prandaj dhe tërë premtimet kanë dështuar; me një qeveri të korruptuar nuk mund të realizosh as programe sociale dhe as investime.