E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, vetëflijohet me fotoksinë, pasi qëllon me levë ish gruan

Pasi qëllon ish- gruan me levë, i nënshtrohet vetëflijimit duke mos e pranuar dot këtë fakt. Ka qenë kjo ngjarja e trishtë e një 45- vjeçari, i cili zgjodhi ti jepte fund jetës pasi më parë kishte goditur me levë ish- bashkëshorten e tij 37- vjeçare. Aristotel Gjoni, 45 vjeç, ka gjetur vdekjen, pasi ka pirë tre kokrra pesticid fotoksinë, pas një gjendjeje të rëndë depresioni nervor. Gjithçka ka ndodhur mesditën e djeshme në lagjen "Sheq i madh", pasi 45- vjeçari Gjoni kishte pasur një debat të ashpër me ish- gruan e tij, Vasilikën. Fqinj të familjes Gjoni tregojnë se Aristoteli dhe Vasilika kishin pasur debate të herëpasherëshme, por askush nuk pohon arsyen e vërtetë të këtyre zënkave. E pas një situate të tillë, çifti Gjoni, të cilët banonin fare pranë njeri-tjetrit, kanë degjeneruar ditën e djeshme në një konflikt pa kthim pas. Qysh në orët e para të mëngjesit, sipas fqinjëve 45- vjeçari ka nisur të grindet me bashkëshorten, e cila ka filluar ta shajë e ofendojë. Duke mos duruar dot gjithë situatën e krijuar, Aristoteli ka marrë një levë, e cila ndodhej në oborrin e shtëpisë dhe me të ka qëlluar dy herë pas koke 37- vjeçaren. Ngjarja në fjalë ka tronditur thellë ndërgjegjen e Aristotelit, i cili menjëherë pas këtij akti ka tentuar të hedhë veten në erë me anë të dy granatave, por që fatmirësisht nuk kanë shpërthyer duke qenë se ishin jashtë kushteve teknike. Kjo tentativë e dështuar vetëflijimi e ka shtyrë 45- vjeçarin Gjoni të zgjedhë një tjetër rrugë për ti dhënë fund jetës. Ai është drejtuar për qilarin e shtëpisë ku edhe mbante pesticidet dhe prej aty ka pirë tre kokrra fotoksinë. Menjëherë pas kësaj, fqinjë të familjes Gjoni i janë drejtuar shtëpisë nga e cila kishin dëgjuar britmat. Fatkeqësisht pamja ka qenë tragjike. Dy ish- bashkëshortet ndodheshin të shtrirë në shesh fare pranë njeri-tjetrit dhe në gjendje kritike për jetën. Ndërsa Vasilika ishte pa ndjenja e shtrirë në tokë, Aristoteli përpëlitej duke belbëzuar fjalë të pakuptimta për fqinjët. Këta të fundit menjëherë i kanë shoqëruar për në mjediset e spitalit të Fierit ku u është dhënë edhe ndihma e parë. Por pas gjendjes kritike, mjekët e spitalit të Fierit nuk kanë mundur dot ti shpëtojnë jetën 45- vjeçarit, i cili ka vdekur vetëm 25 minuta pas mbërritjes në mjediset e urgjencës. Sipas bluzave të bardha fierake gjendja paraqitet kritike edhe për Vasilikën, por fatmirësisht ajo është jashtë rrezikut për jetën. Pas shoqërimit të dy trupave për në spital në shtëpinë e tyre kanë shkuar forca të shumta policore të cilët kanë nisur edhe hetimet.. Sipas burimeve zyrtare të policisë së qarkut Fier, pas kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe ekzaminimit të të gjitha provave të grumbulluara ka rezultuar se gruaja ka marrë dy goditje të forta me hekur pas koke, e ndërsa ish bashkëshorti i saj ka gjetur vdekjen nga fotoksina. Sipas bluve, situata paraqitet nën kontroll ndërkohë që vërtetohet edhe autori i ngjarjes i cili fatkeqësisht ka gjetur vdekjen pas një vetëflijimi të kryer në çaste depresioni. Gjthsesi ende nuk bëhet i qartë shkaku kryesor dhe zanafilla e këtij debati fatal mes çiftit Gjoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›