Universitetet, 3 mijë vende bosh për fazën e dytë
Në përfundim të procesit të regjistrimeve paraprake, MASH do të publikojë kuotat e lira në universitete që do të plotësohen me spostim liste
Pas përfundimit të regjistrimeve paraprake, autoritetet e arsimit do të kenë të dhëna të sakta rreth vendeve të lira që do të krijohen në universitete, që do të plotësohen gjatë fazës së dytë të pranimeve. Gjithsesi, nga të dhënat paraprake, referuar numrit të lartë të maturantëve që këtë vit kanë deklaruar në Formularin A1 se do të studiojnë jashtë vendit, e që kanë qenë rreth 4500 të tillë, si dhe kuotave bosh që janë krijuar gjatë pranimeve të viteve të fundit, 3 mijë vende të paplotësuara parashikohet të rezultojnë në universitete, pas fazës së parë. Kështu, nëse një maturant nuk ka rezultuar fitues që në fazën e parë të pranimeve në universitete, por gjendet shumë afër kufirit të pranimeve, nuk duhet të dëshpërohet. Për atë do të ketë sërish një shans të dytë për të fituar universitetin këtë vit, që do të krijohet nga spostimi i listave të fituesve të fazës së parë. Numri i saktë i vendeve të lira që do të dalin pas fazës së parë të fitueseve, do të detajohet pas mbylljes së regjistrimeve paraprake, në datën 19 shtator. Një vit më parë, në të gjitha degët e 11 universiteteve publike të vendit rezultuan 3536 vendeve bosh, nga të cilat, 2535 studentë edhe pse ishin shapllur fitues nuk u regjistruan paraprakisht. Ndërkaq, i pari për numrin më të lartë të vendeve vakante ka qenë Universiteti i Vlorës, me 862 të tilla, më pas renditen Universiteti i Gjirokastrës, 719 kuota të palotësuara, Universiteti i Tiranës, me 546 kuota vakante, pasuar nga Universiteti i Korçës, me 308 vende, Universiteti i Elbasanit 294. Ndërsa në universitet e tjera të vendit, duke filluar që nga Politekniku, Bujqësori, ai i Durrësit dhe Shkodrës numri i kuotave të palotësuara ka qenë rreth 200 në secilin prej tyre. Regjistrimet në universitete bëhen në dy faze, pasi shumë maturantë të regjistruar në universitetet publike, të shpallur fitues gjatë fazës paraprake, vendosin të konkurrojnë për studime jashtë vendit dhe largohen. Kandidatë të tjerë të regjistruar po në universitetet publike të vendit vendosin të ndjekin studime në universitete private. Kandidatë të tjerë nuk dëshirojnë më të vazhdojnë studimet e larta. Të gjithë këta kandidatë lënë kuota vakante (vende bosh) që plotësohen nga kandidatë të tjerë. Pikërisht për të marrë këtë informacion dhe për të evituar bllokimin e kuotave kërkohet regjistrimi paraprak. Pas marrjes së këtij informacioni hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar paraprakisht brenda afatit kohor të përcaktuar. Vitin e kaluar, lista e kandidatëve fitues të regjistrimit përfundimtar tregoi se të gjithë kandidatët që kishin fituar në preferencën e tyre të parë, mbeten po aty fitues. Pra, sipas parimit Meritë-Preferencë, asnjë kandidat nuk zbret në preferencë. Po ashtu, shumica e fituesve në preferenca të tjera, mbetën fitues në po ato preferenca ku ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak, ndërsa një pjesë e fituesve, në sajë të vendeve bosh nga mosregjistrimi në fazën e parë, u ngjitën në preferencë. Për shembull, nëse në regjistrimin paraprak ishin shpallur fitues në degën e shtatë, u ngjitën në preferencën e gjashtë apo të pestë. Madje, një vit më parë pati nga ata kandidatë që nuk ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak dhe u shpallën fitues në regjistrimin përfundimtar, falë vendeve bosh të lëna nga regjistrimi paraprak.