Korçë, mbytet në rezervuar 40 vjeçarja, familja fsheh ngjarjen
Ngjarja që ka përfshirë nga puna policinë e Korçës është regjistruar dy ditë më parë, ndërsa familjarët e viktimës të vetëmbytur e kanë mbajtur atë larg vëmendjes së policisë, duke e veshur ngjarjen me mister. Duke iu referuar të dhënave të policisë lokale, ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes së diel, në fshatin Libonik të rrethit të Korçës.
Vislet Hoxhalli, 48 vjeç, nënë e dy fëmijëve është larguar nga banesa e saj për t'u gjetur vetëm pas pak orësh nga të afërmit e saj. Mësohet se gruaja, e cila kishte humbur nënën vetëm pak kohë më parë ka vuajtuar shumë për këtë tragjedi, ndërsa duket se kjo mund ta ketë çuar drejt aktit të vetëflijimit. Sipas të dhënave që ka mundur të grumbullojë policia lokale, e cila ka nisur hetimin për ngjarjen vetëm gjatë të hënës jo menjëherë si ndodh zakonisht, pas njoftimit që ka marrë në rrugë operative, jo nga familjarët e viktimës, por nga persona të tjerë gruaja e gjetur e mbytur në rezervuarin e fshatit Libonik është larguar nga shtëpia në orët pasdites së diel, ndërsa është gjetur në mbrëmje e mbytur në rezervuar. Në mënyrë mjaft të fshehtë, të afërmit e Vislet Hoxhallit e kanë nxjerrë atë nga uji duke e çuar drejt e në banesë pa iu nënshtruar dhe autopsisë mjeko-ligjore, ndërsa kanë kryer dhe ceremoninë mortore para se të mbërrinte policia. Kjo e fundit duket se e ka marrë me seriozitet ngjarjen për të cilën ka shumë pikëpyetje. Policia vazhdon hetimet, bëjnë të ditura burimet zyrtare të saj, ndërsa viktima sipas deklaratave të të afërmve të saj tre ditët e fundit ka qenë e mbyllur dhe qante vazhdimisht. Sipas tyre, ajo i ka dhënë fund jetës për dhimbjen që kishte për humbjen e të ëmës tre muaj më parë, ndonëse nuk përjashtohet dhe ndonjë shkak tjetër. Sipas policisë, ndonëse kanë nisur hetimet për një vetëvrasje të mundshme, por ka dhe një pistë tjetër, e cila nuk bëhet e ditur, por që lidhet me mënyrën e dyshimtë të vdekjes së gruas si dhe arsyen pse familjarët e saj nuk kanë njoftuar policinë.