E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendi i ngjarjes, vrasësit u siguruan për ekzekutimin e deputetit



Nga mënyra se si është qëlluar, sipas ekspertëve, tregohet se pas të shtënave në distancë janë realizuar edhe qitje nga afër. Nga zbardhja e tabulateve telefonike nuk është gjetur asgjë që mund t’i ndihmojë ata më tej për hetimet. Ndërkohë që janë marrë e po ballafaqohen dëshmitë e të gjithë fshatarëve dhe personave që e kanë parë gjatë ditës viktimën. Deputeti socialist, Fatmir Xhindi, është qëlluar me nëntë plumba. Tre plumba i ka marrë në shpatullën e majtë, një plumb nga veshi i majtë i ka dalë në ndarjen mes vetullave, tre plumba i kishte në bark dhe dy në gjymtyrët e poshtme dhe të sipërme, me të cilat mendohet se është mbrojtur pas rrëzimit në tokë. Ky ka qenë konkluzioni i ekspertizës mjekoligjore pas këqyrjes së kufomës. Burime nga grupi i ekspertizës thonë se tre nga plumbat deputeti i ka marrë përballë, teksa ka parë ekzekutorin. “Tre plumba të tjerë mendohet se kanë bërë rikoshet në tokë dhe më pas janë pozicionuar në sipërfaqen e barit, pranë vendit të ngjarjes”, - u shprehën ekspertët. Për vendin e ngjarjes policia ka thënë se ishte plotësisht i dëmtuar. Nëntë gëzhojat dhe tre plumbat janë prova e vetme që është gjetur në vendin e ngjarjes. Policia ka konstatuar në afërsi të vendit ku u vra deputeti se një sipërfaqe të vogël bari ishte përthyer, dhe dyshohet se ka marrë formë të tillë pas qëndrimit mbi të të një personi. Thuhet se personi ka qëndruar për më shumë se gjysmë ore mbi sipërfaqen e barit duke pritur.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›