Vrasja e deputetit, “bie” pista për konflikte pronësie
Burimet nga organet hetimore kanë artikuluar zyrtarisht dy ditë më parë katër pista të mundshme, megjithatë diskrecioni me të cilën po trajtohet ky hetim lë shteg të mendosh se pistat mund të jenë “çoroditëse”, me qëllim që të parandalohet publikimi i “pistave të vërteta” në media. Por, duket se pista që lidhet me një konflikt të mundshëm pronësie të deputetit socialist është rrëzuar. Organet hetimore kanë pranuar se së paku tre persona nga zona e Roskovecit dhe nga fshati Kurjan janë piketuar tanimë për pretendime pronësie jo vetëm mbi tokën e ullishtave, që deputeti kishte pronë të vetën në këtë zonë, por edhe mbi disa troje të kthyera sipas Ligjit 7501, por pas verifikimeve ka rezultuar se këto kanë qenë mosmarrëveshje që nuk mund të kishin sjellë të tilla pasoja. Gjithashtu, organet hetimore kanë deklaruar se po hetojnë dhe në pistën që lidhet me problemet personale të deputetit, ku përfshihen edhe episode intime, të cilat janë mbajtur të rezervuara nga hetuesit. Policia vendosi të dielën në dispozicion 250 mijë euro për personin që do të japë informacione në lidhje me autorin e vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi. Menjëherë pasi kjo shifër është bërë publike, gjatë një komunikimi me mediat nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në numrat e vënë në dispozicion për informatorët, ka pasur një fluks telefonatash nga persona të ndryshëm, kryesisht banorë të Fierit, Roskovecit dhe fshatit Kurjan. Sipas burimeve nga policia, shumë shpejt, telefonuesit, të cilët pretendojnë se mund të hedhin dritë rreth ngjarjes, do të merren në pyetje nga oficerët e policisë, duke u ruajtur anonimati i tyre. Por duket se 24 orët e fundit kanë rezervuar më shumë të dhëna “të ditura që në fillim” nga hetuesit dhe pak të dhëna konkrete apo të verifikueshme janë ofruar nga telefonuesit që kërkojnë shpërblimin e majmë. Policia ka publikuar të dhënat e para të grupit hetimor që është ngritur me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.
6 Maj 2009