Vdes pacienti, familjarët akuzojnë mjeken e operacionit
Një pacient 57 vjeç ka gjetur vdekjen, pasi është shtruar në spitalin francez në Tiranë, me probleme në grykë. Familjarët të irrituar kanë denoncuar vdekjen e tij në polici, duke akuzuar mjekët për mjekim të gabuar, ndërsa mjekët deklarojnë se pacienti ka qenë në gjendje të rëndë. Sipas familjarëve, viktima Edmond Beci “nuk vuante nga asnjë sëmundje”, ndërsa theksojnë se mbërriti në spital me probleme në fyt. Ata shtojnë se viktima “në momentin që është shtruar në spital nuk ishte në gjendje të rëndë, kishte vetëm shqetësime në grykë”, ndërsa bëjnë të ditur se, “vdekja e tij erdhi, pas ekzaminimit me sondë”. Ndërsa mjekët në këtë spital deklarojnë se pacienti në momentin e mbërritjes në spital, “ishte në gjendje të rëndë”. Sipas tyre, nuk ka pasur ndërhyrje të gabuar. “Ndërhyrja ka qenë për problemet në fyt”, deklarojnë mjekët. Por, kjo çështje ka kaluar në duart e policisë. Sipas të dhënave, shërbimet policore janë njoftuar pas vdekjes së 57-vjeçarit, pasi familjarët kanë filluar të zihen me mjeken, që kishte kryer ndërhyrjen. Menjëherë ka ndërhyrë policia për të qetësuar situatën dhe ka marrë në pyetje të dyja palët. Nga të dhënat mësohet se mjekja ka deklaruar se Beci kishte tumor në laring dhe ka ardhur në gjendje të rëndë në spital. Madje, ajo u ka treguar familjarëve për rrezikun që në fillim, pavarësisht se kur ka ndërruar jetë, ata janë irrituar. Policia tha se familjarët nuk kanë pranuar të bëjnë denoncim. Megjithatë, hetimet për këtë rast vazhdojnë dhe konkluzionet priten pas ekspertizës mjeko-ligjore. Kufoma e 57-vjeçarit është dërguar në morgun e Tiranës, nga ku pritet edhe raporti i mjekësisë ligjore.
#