Korçë, nis restaurimi i 20 godinave të vjetra
Të paktën 20 godina të Pazarit të Vjetër karakteristik të Korçës kanë nisur të restaurohen në fasadat e tyre. Për ndërhyrjen e kësaj faze është përzgjedhur një kompleks godinash karakteristike, monumente kulture, të cilat kanë vite që nuk janë restauruar dhe ku aktualisht ushtrohet aktivitet tregtar. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Korçë, Dhori Theodhori, thotë se 20 objektet u shtohen ndërtesave të restauruara në fasada një vit më parë. Restaurimet do të përqendrohen në pjesët ballore të këtyre godinave të vjetra, për shkak të mureve të çara dhe dëmtimeve që kanë pësuar në vite nga kushtet atmosferike dhe nga mungesa e ndërhyrjeve. Krahas fasadave, specialistët do të merren edhe me riparimet në çatitë e këtyre objekteve dhe suvatimet e pjesëve të mureve të dëmtuara. Sipas Theodhorit, ndërhyrja në fazën e dytë restauruese në këtë kompleks të vjetër ka si synim të ruajë identitetin e pazarit karakteristik, që është monument kulture i kategorisë së parë dhe mbrohet nga shteti. Kjo ndërhyrje, edhe të tjera të parashikuara nga bashkia, do të ruajnë anën arkitekturore të këtyre objekteve. "Investimi për fazën e dytë kap një vlerë prej 5 milionë lekësh. Ky investim, që i shtohet atij të një viti më parë, me një vlerë prej 1.5 milionë lekësh, ku u restauruan 15 ndërtesa, ka si qëllim kthimin në identitet të pazarit të vjetër të Korçës", ka theksuar Theodhori.