E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vitore Sallaku: Shkruaj që cirku të mos harrohet

"Emocion - Fantazi - Guxim…". Kështu nis të rrëfejë Vitore Sallaku për cirkun. Kujtimet janë të shumta. I kushtoi jetën këtij pasioni. Renditet mes themeluesve të artit të veçantë. Për këtë ka vendosur t‘i kushtojë një libër. "Historia e Cirkut Shqiptar" është prezantuar dje në një takim miqsh në Arenën e Cirkut të Metropolit. Personazhet janë ata me të cilët ajo ka ndarë orët e gjata të provave, emocionet, arritjet, por edhe momentet e vështira. "Prej kohësh lutesha në idenë e shkrimit të këtij libri. A do të mundem t‘i shkruaj të gjitha?! A do mund kujtesa të japë të plotë magjinë e viteve të shkuara?! Gjithsesi, guxova të shkruaj historikun e këtij arti guximtarësh", tregon artistja. Rrëfimi i saj nis nga zanafilla. Është një historik i ecurisë së trupës së cirkut, zhvillimit, zgjerimit deri në ditët e sotme. Ajo i përket brezit kur cirku ishte në periudhën e artë. Sigurisht që një pjesë e emrave, të cilëve Sallaku u ka kushtuar profile të veçanta, vijnë me jehonën e nostalgjisë fëmijërore te publiku. Vështirë të thuhet e njëjta gjë sot. "Në cirk nuk ka rezultate nëse nuk punon me trupin, në një stërvitje sistematike dhe me një trajtim të veçantë të atyre që e kanë pasion këtë lloj arti. Ajo që gjen edhe sot është dashuria për këtë art, por ka nevojë për standarde më të larta. Në rreth 350 faqe, në këtë libër, të pestin të sajin, por i pari që i kushtohet tërësisht cirkut, akrobatja i lë vend edhe përshkrimit të këtij arti në qytete të tjera. Cirku i Gjirokastrës, i Peshkopisë, i Patosit, i Shkodrës dhe Cirku i Vlorës vijnë po ashtu me një historik të tyre. Për të pasqyruar në mënyrë sa më realiste historikun e cirkut shqiptar, autorja është bazuar në dokumentet origjinale të kohës dhe veçanërisht në arkivin e Marubit në Shkodër. Përse vendosi t‘i hidhte në rreshta kujtimet? "Motivet janë të shumta. Kanë kaluar kaq vjet dhe ndërsa shohim botime të ndryshme për filmin, teatrin dhe muzikën, ende mungon diçka për cirkun. Do të ishte mirë që një njeri i letrave të skaliste në rreshta atë periudhë të artë. Një brez i tërë artistësh kanë shkëlqyer. Nga kjo arenë kanë dalë artistë të popullit, të merituar dhe mjeshtra të mëdhenj. Janë rezultatet e larta ato që kanë çuar në këtë vlerësim dhe mirënjohje. Janë vitet e lodhjes, djersës, guximit, forcës, durimit dhe sakrificës. Shikuesit e prisnin me padurim të dielën, për të krijuar emocionet që falte arena e mrekullueshme. Ajo mblidhte rreth saj të gjitha moshat, sepse i tillë është ky lloj arti, i preferuar dhe i dëshiruar nga të gjithë", shprehet Sallaku. Vetë e lidhi të gjithë jetën me cirkun. Ishte një pasion që ia ngacmoi i ati, i cili i pushkatuar atë kohë nuk arriti ta shihte të bijën në skenë. Ky është një kujtim i përhershëm në rrëfimet e saj. Në mjediset e punës do të njihte edhe bashkëshortin e ardhshëm, aktorin e humorit, Skënder Sallakun. Atëherë kur nuk mund të qëndronte më e kapur veç pas një luleje, Vitorja zgjodhi të mësonte brezat e rinj. "Frymëzimi për të shkruar ishte dashuria dhe artistët e rinj. Ndaj do më mirëkuptojnë e do të më falin kolegët e mi të dashur dhe të respektuar, nëse kam harruar pa thënë diçka. Le të jetë një tjetër pas meje që të bëjë diçka më të përsosur. Më mirë kështu, se sa të harrohet gjithçka...", thotë ajo. Nisur nga vetja, një pjesë të veçantë të librit ua ka kushtuar femrave artiste të cirkut. Fillimisht ishin veç pak prej tyre. Por me kalimin e viteve gjërat ndryshuan. Ndonëse ajo kohë ishte plot kufizime, cirku si pjesë e artit ishte i privilegjuar. "Nuk ndjeheshim të paragjykuar. Këtë pasion e nisnim që në vogëli dhe atëherë kur kishim arritur një moshë të caktuar, tashmë na ishte kthyer në profesion", kujton sot. Për të, cirku është një art i pakrahasueshëm. "Të vë përpara përgjegjësisë. Me një numër mund të humbasësh jetën". Edhe sot, kur mosha e lejon që të sodisë veç së jashtmi skenën, në të ruhet i gjallë pasioni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›