Todi Bozo, një festë kushtuar regjisorit
Në festë për 75-vjetorin e lindjes së producentit dhe regjisorit Todi Bozo. Me këtë rast, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe familja Bozo organizojnë në datën 27 prill një aktivitet ku në praninë e kineastëve, artistëve, miqve e dashamirësve të regjisorit, do të shfaqet një klip me punët përfaqësuese të tij, kujtime e mbresa, e mbi të gjitha do të promovohet libri "Produksioni i filmit", autor i të cilit është vetë Todi Bozo. Bozo lindi në Lushnjë, në vitin 1934. Ai studioi në Institutin Kinematografik, VGIK, për producent filmi, duke u bërë kështu i pari kuadër i lartë profesional në fushën e produksionit kinematografik. Filloi punë në kinostudion "Shqipëria e Re" në vitin 1959. Karrierën e filloi si bashkëproducent në bashkëprodhimin shqiptaro-sovjetik, "Furtuna" (1959), e më pas karriera e tij vijoi me filmat "Debatik", "Detyrë e posaçme", "Vitet e para", "Oshtimë në bregdet", "Ngadhënjim mbi vdekjen", "Plagë të vjetra" etj. Nga viti 1983 e deri në vitin 1991 xhiroi rreth 30 filma dokumentarë.