E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, plas sherri në zyrën e kartave të identitetit

Një grua akuzon stafin e “Aleat” se kërkoi ryshfet

Një 53-vjeçare nga Korça ka paditur punonjësit e kompanisë “Aleat” për korrupsion dhe ushtrim dhune. Ilda Tome, gruaja që ka denoncuar aktin e dhunës në polici, pretendon se është goditur në kokë me vizore nga një prej punonjësve në momentin që ajo ka refuzuar të paguajë një ryshfet prej 20 eurosh për marrjen e kartave të identitetit për vete dhe dy pjesëtarë të familjes. Gruaja tregon se në momentin që ka refuzuar dhënien e ryshfetit, ka nisur sherri me punonjësit, të cilët kanë refuzuar t’i shërbejnë. Ilda Tome thotë se pasi ka qëndruar në radhë në zyrën e aplikimeve është thirrur të hyjë për marrjen e dokumentit të ri të identitetit. Por sipas saj për të kryer procedurat nuk janë thirrur paralelisht edhe persona të tjerë. Ilda Tome thotë se nga ana e punonjësve lejohej futja e një personi të vetëm, ndërsa një person qëndronte jashtë për disiplinimin e radhës, identifikonte emigrantët. Sipas gruas, në rast se personat vinin me makina me targa greke, lejohej brenda vetëm një shtetas dhe kjo sipas saj është bërë që të mos kishte dëshmitarë në momentin e kërkimit të ryshfetit. “Në momentin që më thirrën emrin që të hyja brenda, kisha tre kuponë. Më pyetën se sa karta kam për të marrë dhe më thanë: na jep 20 euro që të të japim kartat. Unë nuk kisha para me vete. U thashë se nuk kisha 20 euro dhe nuk e kuptoja se përse duhet të paguaja prapë për kartat, pasi kisha paguar njëherë për blerjen e kuponëve. Por punonjësit thanë se në rast se nuk jepja 20 euro mund të jepja 15, nga 5 euro për një kartë identiteti. Unë refuzova dhe u kërkova që në rast se do të paguaja përsëri, duhet të më pajisnin me një tjetër faturë për këtë pagesë. Aty nisi sherri, me pretendimin se unë isha emigrante dhe duhet të paguaja, ose duhet të kthehesha pas gjashtë muajsh për t’i marrë kartat. Gjatë sherrit, një nga punonjësit më goditi me vizore në kokë. Dola nga zyra e gjakosur dhe më pas ndërhynë djali dhe burri im, të cilin gjithashtu e qëlluan në kokë. Pas kësaj njoftova policinë”, tregon Ilda Tome. Mes palëve ka pasur një sherr kur gruaja ka dalë e gjakosur nga zyra e “Aleat”. Të dyja palët janë përleshur deri në ndërhyrjen e policisë, që është njoftuar nga 53-vjeçarja. E dëmtuara i është drejtuar policisë për të denoncuar, ndërkohë që ka marrë edhe një raport mjekoligjor për plagën që i është shkaktuar në kokë. Krahas padisë së 53-vjeçares edhe nga ana e kompanisë “Aleat” është ngritur një padi për djalin e 53-vjeçares, me akuzën e goditjes për shkak të detyrës. Sipas pretendimeve të punonjësve të kësaj kompanie, gruaja ka provokuar sherrin dhe më pas punonjësit dhe të afërmit e saj janë përleshur. Edhe një nga punonjësit e zyrës së aplikimit ka marrë raport mjekoligjor për të vërtetuar dhunën e ushtruar ndaj tij. Punonjësit e kompanisë thonë se nuk i kanë kërkuar ryshfet gruas. Sipas tyre, sherri ka ndodhur për faktin se gruaja po ankohej për shërbimin, pasi kishte qëndruar në radhë. Pas marrjes së denoncimeve nga palët, policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje, duke marrë në pyetje jo vetëm punonjësit, por edhe dëshmitarë që kanë qenë në radhë në zyrën e aplikimeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›