Shuhet etnomuzikologu i shquar, Bahtir Sheholli
Akademik VASIL S. TOLE
Dje, më 11 mars 2010, në mënyrë të papritur u nda nga jeta në Prishtinë, Bahtir Sheholli, entomuzikologu i shquar i shqiptarëve në Kosovë. Për ne që e njihnim nga afër na duket ende i pabesueshëm ky lajm, por Bala siç i thërrisnim shkurt ne miqtë e tij në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk është më mes nesh. Lindi në Hërticë të Komunës së Besianës (ish-Podujeva), më 16 mars të vitit 1943. Shkollën fillore e kreu në Kërpimeh, shkollën e mesme muzikore në Prizren, kurse fakultetin muzikor në Universitetin e Arteve në Beograd – dega e Teorisë Muzikore. Po aty vijon edhe studimet në sektorin e Etnomuzikologjisë në katedrën e Historisë Muzikore dhe të Folklorit Muzikor në Beograd, kreu edhe studimet pasuniversitare. Gjatë vitit 1978–1979 u specializua në konservatorin e muzikës në Shën Petërsburg – BRSS, ku po ashtu ka bërë hulumtime shkencore në një pjesë të bjeshkëve të Kaukazit etj. Një pjesë të aktivitetit të tij profesional ia kushtoi pedagogjisë dhe mësimdhënies në gjimnazin e Podujevës, në vitet 1963 – 1970, dhe nga viti 1977 disa vite rresht ka punuar si mësimdhënës i lëndës së formës muzikore, historisë muzikore botërore, njohurisë së veglave dhe folklorit muzikor në shkollën e mesme muzikore të Prishtinës. Prej vitit 1976 punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues në Sektorin e Etnomuzikologjisë. Nga viti 1974 deri më 1987 ka qenë anëtar i Organeve të Revistës së Folklorit Burimor Kosovar të Gllogovcit, si seleksionues dhe udhëheqës artistik i saj. Si organizator dhe drejtor artistik me grupe të ndryshme folklorike ka përfaqësuar Kosovën në shumë manifestime në ish-Jugosllavi, Shqipëri, Gjermani, Francë etj., në të cilat është shpërblyer me çmime të larta dhe mirënjohje publike. Bahtir Sheholli ka drejtuar si kryetar edhe shoqatën e kompozitorëve të Kosovës.
Në respekt të tij, po shkruaj këto radhë informimi për publikun e gjerë shqiptar, pasi jeta dhe vepra e Bahtir Shehollit iu dedikua njohjes, studimit dhe lartësimit të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve kudo ku ata ndodheshin. Bahtiri ishte studiues dhe hulumtues nga natyra, organizator dhe drejtues festivalesh dhe ansamblesh folklorike, mësimdhënës dhe gazetar. Mes shumë kujtimeve, për mua janë të paharrueshme, përpjekjet dhe përkushtimi i tij si drejtues artistik i grupeve folklorike të Kosovës, në Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës, të pas viteve 1990. Në mënyrë të veçantë, në FFK-në e vitit 2000, kur Kosova e tërë ende kullonte gjak dhe nxirrte tym, Bahtir Sheholli, në krye të grupeve masive të muziktarëve dhe valltarëve të Kosovës, ngjiste kalldrëmet dhe sokakët e ngushtë të Gjirokastrës për të kënduar dhe kërcyer folklorin e Kosovës në kalanë e Gjirokastrës. E pyeta Bahtirin se si ia doli që të sillte me dhjetëra festivalistë të Kosovës në Gjirokastër, pas gjithë atij gjenocidi? E di çfarë më tha? çdokush prej atyre që këndon dhe kërcen në skenë ka të vramë e të premë prej serbit në shtëpi dhe në farefis! Kemi ardhur që t’u themi të gjithëve, edhe në emër të të rënëve dhe dëshmorëve që jemi përsëri të gjallë e të fortë. E falënderojmë përmes këngës dhe valles sonë të gjithë ata që na ndihmuan në ditët e vështira: shqiptarë, amerikanë, anglezë, gjermanë, francezë etj. Ju jemi mirënjohës më tha!
Edhe ne sot i dashur mik Bahtir të jemi mirënjohës! Të jemi mirënjohës për veprën dhe për jetën tënde të jetuar me dinjitet dhe me përkushtim ndaj vlerave të muzikës popullore kosovare. Një ngushëllim vëllazëror dërgojmë sot për familjen Sheholli dhe për kolegët e Institutit Albanologjik të Prishtinës. I paharruar Bahtir! Familjes tënde të nderuar i le një emër të madh dhe shkencës sonë albanologjike një vepër të çmuar. Shteti i ri i Kosovës do të të kujtojë gjithmonë me respekt ashtu siç shkruan edhe në telegramin dërguar familjes, Presidenti i Kosovës, Z. Fatmir Sejdiu: ... Bahtir Sheholli ka qenë një emër më vete i shkencës sonë etnomuzikologjike. Vepra dhe puna e tij është çmuar lart kudo dhe këtë e dëshmojnë edhe çmimet dhe mirënjohjet e shumta, të cilat i bëjnë nder jo vetëm atij, po mbarë kulturës sonë nacionale”. Ti sot nuk na dëgjon, por diku në bjeshkët e Kosovës një zurle Kosove klithet për ty. Mbetsh i paharruar Bala ynë!
“Zurla dhe tradita e saj muzikore” – studim monografik
Artikuj dhe studime:
“Rreth metodës së mbledhjes së melodive popullore shqiptare në përmbledhjet e Lorenc Antonit” – “Fjala”, 01. 11. 1975; “Figura e njësi të pasura ritmike” – rreth RFBK “Gllogvci ’79 “, Rilindja, 05. 01. 1980; “Mbi disa karakteristika poetiko-muzikore të këngëve tona të dashurisë”, Gjurmime albanologjike – seria folklor dhe etnologji. Nr XI, Prishtinë, 1981; “Pasuri formash e zhanresh”, “Rilindja”, 16. 06. 1984; “Albanian Vokal and instrumental tradition in Kosova”, Buletini për studimin e folklorit, Zagreb, 1985; “Mbi traditën tonë vokalo-instrumentale, në “Fjala”; “Benjamin Kruta – studiues i pasionuar i polifonisë shqiptare”, Gjurmime Albanologjike, nr. 24. Prishtinë, 1994; “Festivali Folklorik Kombëtar i Beratit”, Gjurmime Albanologjike – Folklor dhe etnologji, nr. 25, Prishtinë, 1995; “Këngët popullore – fuqizim i përhershëm i veprimtarisë patriotike të Isa Boletinit”, Gjurmime Albanologjike – Folklor dhe etnologji, nr. 26, Prishtinë, 1996; “Mbi paraqitjen e folklorit shqiptar në skenë dhe disa dukuri aktuale folklorike”, Gjurmime Albanologjike – Folklor dhe etnologji, nr. 27, Prishtinë, 1997; “Sali Bajrami – Krasniqi” rapsod i pashlyeshëm në kujtesën e popullit, Gjurmime Albanologjike. Nr. 27. 1997; “Tradita e folklorit tonë muzikor si lidhje shpirtërore me krijimtarinë e Qamilit të vogël”, Gjurmime Albanologjike, nr. 27. 1997; “Mbi traditën muzikore folklorike të Llapit”, Materiale nga sesioni shkencor, “Trashëgimia etnokulturore dhe historike e Llapit”, Prishtinë, 1995; “Tradicionalja dhe bashkëkohorja në krijimtarinë tonë muzikore popullore”, Gjurmime Albanologjike – Folklor dhe etnologji, nr. 28-29, 1999; “Funksionimi i këngës popullore në luftën e Koshares”, “Bota Sot”, 21. 04.2000.