E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, prangoset një tjetër anëtar i trafikut të klandestinëve

Përfundon në pranga i katërti i trafikut të klandestinëve drejt Greqisë nga rrethi i Devollit. Policia e juglindjes vetëm dy ditë më parë ka përfunduar me sukses një operacion të koduar Pranvera, në të cilin kanë rënë në pranga plot tre persona, mes të cilëve dhe një femër. Të arrestuarit për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit ishin Ylli Palla nga fshati Koshnicë në Devoll, Lule Hamzallari nga Pogradeci si dhe Florian Martaneshi nga Tirana. Të arrestuarit siguronin klandestinët nga rrethe të ndryshme të vendit kryesisht nga Tirana dhe Lushnja i strehonin në banesën e Ylli Pallës në fshatin Koshnicë në rrethin e Devollit, teksa transporti në shumë raste kryhej nga Lule Hamzallari 27- vjeçarja nga Pogradeci. Policia, pas momentit të arrestimit ka pohuar se ndalimet do të vazhdonin, ndërsa i ndaluari i orëve të fundit është një shtetas nga Berati i kapur gjatë paradites së djeshme. Ferdi Toto, 45- vjeçari nga Berati rekrutonte klandestinët duke i gjetur në rrethe të ndryshme të vendit, kryesisht në Tiranë, Fier, Lushnjë etj., kundrejt një pagese prej 6 mijë eurosh për person. Madje me një pagesë të përgjysmuar funksiononte udhëtimi edhe për të miturit fëmijë të moshave të vogla. Klandestinët qëndronin për gati një natë në shtëpinë e Pallës dhe më pas nga fshati Koshnicë vetëm pak metra larg kufirit shtetëror me Greqinë kalonin ilegalisht për tu pritur më anën tjetër nga të tjetrë anëtarë të rrjetit por këtë herë grekë, për ti çuar ata në destinacionet e tyre. Ka arritur në këtë mënyrë në katër të arrestuar bilanci i operacionit Pranvera, ndonëse policia thotë se ka ende të tjerë persona të implikuar më këtë trafik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›