E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Tunelet e Kalimashit, të përfunduara brenda muajit maj

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi gjatë inspektimeve në aksin rrugor Durrës-Kukës, ka deklaruar se tunelet e Kalimashit, pritet të përfundojnë brenda muajit maj. Gjatë inspektimeve ministri Olldashi ndër të tjera ka folur edhe për grevistët punëtorë, ku tha se problemi tyre nuk i përket shtetit. Ndërsa ndodhet në segmentin Kalimash Morinë, Olldashi pohoi se në tunelin e Kalimashit kanë mbetur edhe 508 metra më pak se 10 për qind, ndërsa përfundimi i tij do të jetë në ditët e para të muajit maj të këtij viti. Mbeten edhe rreth 508 metra për tu takuar dy tunelet, nga 5.6 km që është gjatësia e tunelit ka mbetur më pak se 1/10 e gjatësisë për tu takuar dy galeritë me njëra-tjetrën dhe parashikohet që në fillim të muajit maj në varësi të shkëmbit që haset, tunelet do të takohen. Prandaj do të kemi një tunel të hapur në fillim të majit, u shpreh ministri Olldashi gjatë fjalës së tij. Gjatë inspektimit të aksit rrugor Durrës-Kukës, ministri Olldashi u ndal për të parë nga afër ecurinë e punimeve në segmentin ku po punon firma maqedonase Granit, disa punëtorë të së cilës janë futur dy ditë më parë në grevë urie për kërkesa ekonomike. Në lidhje me grevën e punëtorëve ministri Olldashi u shpreh se ky është një problem i firmës dhe jo i shtetit. Çështja e marrëdhënies së punonjësve me sipërmarrësit e tyre private nuk ka lidhje me ne. Ajo që më intereson mua është ecuria e rrugës. Detyrimi ynë është të paguajmë kompanitë, më pas se si merren vesh kompanitë me punëtorët e tyre nuk mund ta përcaktojmë, vijoi ministri i Transporteve Olldashi. Njëkohësisht Olldashi konfirmojë se me një vendim të ditëve të fundit të qeverisë janë marrë masa edhe për problemin e kompensimit të banorëve që preken nga ndërtimi Rrëshen- Kalimash

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›