Gjirokastër, grabitet me dhunë çifti i të moshuarve, në kërkim autorët
Pasi kanë grabitur të hollat, kanë ushtruar dhunë edhe tek të zotët e shtëpisë. Kjo ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të hënës në fshatin Sofratikë që ndodhet rreth 15 km në jug të qytetit të Gjirokastrës pjesë e Komunës së Dropullit të Poshtëm. Viktima të agresionit dhe grabitjes kanë qenë një çift të moshuarish minoritarë grekë që jetojnë të vetëm. Dy persona të maskuar, kanë hyrë mbrëmjen e djeshme në banesën e 70- vjeçarit Spiro Nasto në fshatin Sofratikë për të grabitur të hollat.
Kryefamiljari Spiro Nasto pasi ka dëgjuar zhurmë jashtë banesës së tij private, ka dalë për të parë së çfarë po ndodhte dhe në befasi ai është ndeshur me dy persona të maskuar. Të gjendur përballë një reagimi të papritur, keqbërësit e kanë goditur disa herë me grushte dhe shqelma plakun 70- vjeçar dhe më pas e kanë kërcënuar me thikë atë dhe bashkëshorten për të mos bërë zë por të tregonte ku ishin fshehur të hollat që mbante. Veç kësaj, ata kanë kërkuar nga pleqtë të mos lajmëronin policinë edhe pasi ata të largoheshin. Përballë një situate të tille, çifti i të moshuarve i ka drejtuar dy personat drejt komodinës ku ndodheshin 30 mijë lekë të vjetra si dhe 50 euro. Policia lokale me të marrë njoftimin është nisur në drejtim të vendngjarjes kryesuar edhe nga zv/ drejtori i Policisë së Gjirokastrës. Sipas burimeve zyrtare grupi hetimor po heton me seriozitet ngjarjen e paprecedentë dhe shumë shpejt dy keqbërësit do të vihen përpara drejtësisë. Në aksion janë vënë përveç grupeve të ndryshme të identifikimit edhe qentë zbulues për të bërë të mundur përcaktimin e drejtimit të lëvizjes me qëllim ndjekjen dhe kapjen e autorëve. Mendohet se këta të fundit të jenë nga qyteti i Gjirokastrës ndërkohë që policia konfirmon së fundi se ka identifikuar të dy grabitësit dhe mjaft shpejt pritet arrestimi i tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprën penale të vjedhjes me dhunë. Dy të moshuarit jetojnë vetëm, pasi dy vajzat e tyre janë martuar dhe jetojmë prej vitesh si emigrantë në Greqi.