Korçë, rrëshqitja merr përpara një lagje
Një lagje e fshatit Dardhas në zonën e Gorës rrezikohet nga rrëshqitjet e një masivi të madh malor. Rrëshqitja e vazhdueshme e favorizuar nga tejngopja e tokës me ujë rrezikon shembjen e shtëpive në një lagje të tërë të fshatit të largët. Të paktën 12 nga shtëpitë e pozicionuara rrëzë një kodre të këtij fshati janë të parat që preken nga fenomeni gjeologjik, ndërsa masivi që ka lëvizur është afruar deri në 30 metra nga banesat e para të lagjes. Një familje është evakuuar tashmë. Fatmir Hamolli, familja e të cilit është detyruar të lërë shtëpinë, thotë se frika e ka bërë të largohet nga shtëpia, edhe pse 12 familje nën rrezik duket se nuk janë dakord me evakuimin, pasi nuk kanë ku të mbajnë bagëtitë. “Kam tetë fëmijë dhe s’kam ku të shkoj. Në këto dy ditë që na ka larguar komuna, kam qëndruar te kushërinjtë. Do na vendosin në një pallat, por s’kam ku t’i mbaj as fëmijët dhe as bagëtitë. Ne jetojmë në fshat dhe këto janë shtëpitë tona. Frikë kemi, pasi mua më ka ardhur dheu deri afër murit dhe shtëpia ime është e para që do të shembet”, tregon Fatmiri, që mbush sytë me lot. Lagjja është në një prag katastrofe. Për shkak se masivi mban shumë ujë nga shkrirja e dëborës, ai vazhdon të rrëshqasë, duke iu afruar me shpejtësi shtëpive të kësaj lagjeje. Kodra ka pësuar një çarje të madhe përgjatë 500 metrave dhe tonelata me baltë rrëshqasin prej saj. Për banorët është caktuar një vendstrehim i përkohshëm nga komuna për raste të emergjencës. Kreu i Komunës Dardhas, Rushan çela, thotë se në këtë zonë rrezikohen 50 familje dhe ka nisur evakuimi, ndërkohë që po merren masa, duke hapur kanale për të devijuar ujërat e malit. “Kanë ardhur specialistë të gjeologjisë për t’i parë këto rrëshqitje. Toka është e rrëshqitshme dhe ky fenomen ka ekzistuar që në vitet ‘60, kur janë shembur shumë shtëpi. Por këtë vit situata është shumë e rënduar, pasi ky masiv rrezikon edhe këtë lagje të Dardhasit me 12 familje. Kemi marrë masa urgjente për të hapur kanale ku të shkarkohen ujërat që mban toka në këtë zonë, por për shkak të pjerrësisë masivi është afruar shumë me shtëpitë. Ju kemi bërë thirrje banorëve të braktisin shtëpitë dhe do të caktojmë një strehim të përkohshëm për ta pranë magazinave derisa të kryhen ndërhyrje me fonde. Këtu u bë studimi gjeologjik dhe zona është bërë e pabanueshme”, thotë Rushan çela. Erozioni në këtë zonë të thellë ka prekur jo vetëm shtëpitë. Rruga e fshatit është çarë në mes dhe përdoret me një kalim pas shembjes së asfaltit të ri në anë të përroit. Rruga izolon tetë fshatra të tjerë nga qendra e komunës dhe dy lagje. Por sipas kreut të komunës, në këtë zonë janë në rrezik nga shembjet dhe erozioni të paktën 50 familje. Sipas tij, më emergjente është situata në lagjen Hamoll, ku duhet të ndërhyhet menjëherë. Situata alarmante në këtë zonë ka aktivizuar një grup ekspertësh të gjeologjisë për të ngritur një pritë të mundshme në zonën e rrëshqitjes masive. Roland Zijani, inxhinieri gjeolog i Qarkut të Korçës, thotë se gjendja në këtë zonë është e rënduar. Sipas tij po përgatitet me emergjencë një studim, por zona është e prekur nga erozioni në një pjesë të madhe të saj.
#