E Shtunë, 31 Tetor 2026

Task Forca e rrugorëve bllokon 200 patenta brenda dy ditësh

200 leje drejtimi janë bllokuar nga efektivat e Task Forcës së Policisë Rrugore gjatë dy ditëve të fundjavës së kaluar. Kontrollet dhe patrullimet e policisë u kryen pas orës 23 të mbrëmjes

TIRANE – Struktura Task Force e ngritur pranë Policisë Rrugore për kontrollin e akseve rrugore kombëtare ka pezulluar gjatë fundjavës një numër prej 200 patentash gjatë kontrolleve ndaj drejtuesve të automjeteve. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të policisë, të cilat thanë se në kuadër të masave të marra për monitorimin e trafikut në akset rrugore kryesore, shërbimet e policisë dhe njësia Task Force e policisë rrugore, kanë kryer patrullime dhe kontrolle të shtuara gjatë ditëve të fundjavës që sapo kaloi. Masat drastike me bllokimin e patentave janë pjesë e strategjisë së Policisë Rrugore për forcimin e kontrollit të trafikut dhe ashpërsimin e masave, me qëllim parandalimin e kundravajtjeve që shkaktojnë aksidente rrugore. Sipas burimeve nga policia, patrullimet kryesore janë kryer pas orës 23:00 të mbrëmjes, me qëllim identifikimin e rasteve të mosrespektimit të rregullave të sigurisë në rrugë dhe përdorimit të pijeve alkoolike nga drejtuesit e mjeteve në ditët e fundjavës. Gjatë këtyre kontrolleve më shumë se 200 drejtues mjetesh janë gjetur me shkelje dhe masa e marrë nga policia ka qenë ekstreme: bllokimi i patentës. Pak javë më parë ministri i Brendshëm njoftoi krijimin e Task Forcës së veçantë të Policisë Rrugore në prag të sezonit veror, me qëllim parandalimin e aksidenteve gjatë sezonit turistik. Pjesë e kësaj zyre është edhe Njësia e Kontrollit të Autostradave, që monitoron trafikun në autostradat dhe supestradat e vendit, duke dokumentuar në mënyrë dixhitale kundravajtjet rrugore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›