Topi: “Kosova duhet të jetë pjesë e tryezave rajonale”
Eljona Ballhysa
Gjatë ditës së dytë të vizitës së tij në Kosovë, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të biznesit. Në këtë takim është nënshkruar dhe Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik midis dy vendeve, ndërsa kreu i shtetit shqiptar u shpreh se ka ardhur koha kur Kosova duhet të përfaqësohet në tryezat rajonale, jo vetëm politike, por dhe ekonomike. Gjatë ditës së djeshme presidenti Topi është nderuar nga Bashkia e Prishtinës me titullin “Qytetar Nderi” dhe ka marrë çelësin e artë të qytetit.
Bashkëpunimi
Gjatë takimit me biznesmenët ishin të pranishëm të dy presidentët, presidenti Topi dhe presidenti i Kosovës, Sejdiu. Temë qendrore e bisedimeve ishin mundësitë e reja për intensifikimin e bashkëpunimit dhe të zhvillimit të bizneseve të përbashkëta mes sipërmarrësve dhe investitorëve të dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Kosovës.
Gjatë përshëndetjes së shkurtër të kësaj tryeze të rrumbullakët, e cila kulmoi me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, Presidenti i Republikës vlerësoi thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. “Ka ardhur koha që ju të jeni pjesë e tryezave rajonale, të cilat janë kthyer në një ritual ku presidentët e rajonit ballkanik mblidhen çdo vit, herën e fundit në Ohër të Maqedonisë. Tani zëri i Kosovës është një zë legjitim, një zë i pavarur, që ju detyron për t’u përfaqësuar, sepse Kosova nuk është thjeshtë një realitet i ri politik, por Kosova është një realitet shumë i vlerësueshëm ekonomik. Kosova ka traditën e saj, ka pasuritë e saj dhe mbi të gjitha është pjesë e një rajoni, që kërkon që politikisht të integrohet në Bashkimin Europian nëpërmjet një ekonomie të integruar. Është shumë e rëndësishme që ne të vlerësojmë situatën e re, që ka ardhur në Ballkanin Perëndimor”, - është shprehur kreu i shtetit shqiptar. Në këtë drejtim presidenti Topi vuri në pah edhe një herë rëndësinë e jashtëzakonshme të përfundimit në 2009-n të arteries jetësore të infrastrukturës, rrugës “Durrës-Kukës-Morinë-Merdare” për zhvillimin ekonomik të dy vendeve tona, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave. Ai ka shtuar gjithashtu se me rritjen e brezit të sigurisë do të rritet akoma edhe më shumë hapësira për të bërë biznes, për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimet tregtare dhe thithjen e investimeve të huaja.
Vizitat
Gjatë qëndrimit në Kosovë, presidenti Bamir Topi zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili i dorëzoi titullin “Qytetar Nderi”. Presidenti Topi shprehu falënderimet për këtë titull dhe shprehu bindjen se Prishtina do të jetë një qytet shumë i bukur europian. “Jam i bindur që Prishtina e viteve që vjen do të jetë një qytet shumë i bukur, me një kompozicion modern, do të jetë një qytet pa diskutim europian, ashtu siç i takon vërtet Prishtinës të jetë”, - është shprehur Topi. Në përfundim të këtij takimi, së bashku me delegacionin zyrtar që kryeson, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, vizituan Muzeun e Kosovës, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku u mirëpritën nga drejtues të këtyre institucioneve, të cilët i njohën vizitorët me historinë e themelimit, por edhe me brendinë dhe përmbajtjen e eksponateve të tyre. Përjetim i posaçëm ishte dhe vizita e presidentit Topi në “Shpellën e Gadimes”, si dhe vizita në Kuvendin Komunal në Ferizaj, ku Kryetari i Shtetit shqiptar u prit në një atmosferë tepër të ngrohtë dhe vëllazërore e festive nga qytetarët e kësaj komune.
10 Janar 2009