Koreja e Veriut arreston një shtetas amerikan
Koreja e Veriut ka njoftuar sot se ka arrestuar një shtetas amerikan, për shkak se kishte hyrë ilegalisht nga Kina, arrestimi ky i dytë i raportuar i një shtetasi amerikanë gjatë disa javëve të kaluara.
Shtetasi amerikan është arrestuar të hënën dhe është duke u marrë në pyetje, njoftoi agjencia e lajmeve KCNA. Me këtë rast nuk u zbulua identiteti i të arrestuarit, e nuk u ofruan as detaje tjera.
Ambasada e SHBA-së në Pekin theksoi se nuk ka ndonjë informatë më të hollësishme në lidhje me këtë rast, ndërsa ambasada amerikane në Seul nuk deshi të komentojë këtë raport.
Muajin e kaluar, Koreja e Veriut gjithashtu kishte njoftuar për arrestimin e një shtetasi amerikan, për shkak të kalimit ilegal të kufirit mes Kinës dhe Koresë së Veriut.
Pheniani as në këtë rast nuk zbuloi identitetin e të arrestuarit, por besohet se bëhet fjalë për Robert Parkun, një misionar amerikanë, për të cilin aktivistët nga Koreja e Jugut kanë njoftuar se ka hyrë në Korenë e Veriut, për të ngritur çështjen e të drejtave të njeriut.
Aktivistët nga Koreja e Jugut, të cilët kanë ofruar informatat për arrestimin e Parkut, theksuan dje se nuk kanë informata për arrestimin e shtetasit të dytë amerikanë.