E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut do të shpallë amnisti

Koreja e Veriut deklaroi se do të shpallë një amnisti për të burgosurit, për të shënuar ditëlindjet e dy liderëve të saj.

Agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, njoftoi se amnistia do të fillojë nga data 1 shkurt, në nder të Kim Jong Il, që ndërroi jetë muajin e kaluar dhe për babanë e tij, Kim Il Sung.

Për momentin nuk janë dhënë informacione se sa të burgosur do të falen ose se cilët janë ata. Amnesty International vlerëson se rreth 200 mijë persona mbahen në burgjet politike në të gjithë vendin.

KCNA njoftoi gjithashtu se amnistia mishëron politikat “fisnike, dashamirëse dhe liberale të presidentit Kim Il Sung dhe liderit Kim Jong Il”.

Ky vit po prezantohet në Korenë e Veriut si viti i 70-vjetorit të lindjes së Kim Jong Ilit dhe babait të tij.

Ai qeverisi vendin, një shtet me fuqi bërthamore të varfëruar dhe me shkelje të skajshme të të drejtave të njeriut, që nga vdekja e të atit në vitin 1994. Pushteti i tij është trashëguar nga i biri Kim Jong Un, që është rreth të njëzetave dhe ka fare pak eksperiencë në politikë.

Vitin e kaluar Amnesty International njoftoi se dyshonte se kampet për të burgosurit politikë në vend po zgjeroheshin.

Grupi për të drejtat e njeriut deklaroi se zbulimet e tij bazoheshin në pamje satelitore që tregonin se përmasat e kampeve janë rritur ndjeshëm

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›