E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dakordohen për thellimin e bashkëpunimit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe homologu i tij maqedonas, Trajko Veljanoski përveç tjerash janë dakorduar që bashkëpunimi i dy parlamenteve dhe vendeve të rritet edhe më shumë në të ardhmen.

Vizita e parë e kryekuvendarit maqedonas është shoqëruar me nderimet më të larta, duke dal në pritje edhe Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Pas takimit të parë mes dy kryetarëve të kuvendeve është zhvilluar edhe një takim tjetër mes delegacioneve.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se deputetët e dy vendeve kanë pasur kontakte të shpeshta dhe kanë bashkëpunuar shumë mirë, por sipas tij kjo vizitë do të jep impulse të reja për rritjen e bashkëpunimit.

“Jam i bindur që bashkëpunimi institucional do të jep substancë të re, do të jep përmbajtje të re dhe në fund të fundit ne si kryetar të kuvendeve kemi obligim të shtojmë bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Të nxisim dy ekzekutivet tona për t’i shtuar marrëdhëniet si në fushën ekonomike, në fushën arsimore e shëndetësore, në fushat e bashkëpunimit të gjithanshëm për të lehtësuar dhe ndryshuar kualitetin e jetës së qytetarëve të dy vendeve tona”, ka deklaruar Krasniqi.

Kurse kryeparlamentari maqedonas, Trajko Veljanoski theksoi se Kuvendi të cilin ai udhëheq ka miratuar dy vendime të rëndësishme, e para është që të njihet pavarësia e Kosovës dhe dokumenti i dytë është ratifikimi i demarkacionit të kufirit.

Ai ka shprehur kënaqësinë që nuk ka asnjë çështje të hapur mes dy shteteve dhe ka kërkuar që këmbimi tregtar mes dy vendeve të rritet edhe më shumë.

“Unë shpreha kënaqësinë që mes dy shteteve ka një këmbim tregtar, por duhet të punohet edhe më shumë që të intensifikohet edhe më shumë ky këmbim tregtar më shumë. Jemi gjithashtu të kënaqur që një numër i madh i artikujve tona gjendet në tregun e Kosovës”, ka thënë Veljanovski.

Gjatë ditës kryeparlamentarin maqedonas e kanë pritur edhe presidentja e vendit Atifete Jahjaga dhe kryeministri, Hashim Thaçi. Kjo është vizita e parë e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë në Kosovë./kp/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›