E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut shton masat mbrojtëse në kufirin detar

Seul - Koreja e Jugut forcon masat mbrojtëse përgjatë kufirit të diskutueshëm detar me Korenë e Veriut. Flota Detare e Koresë së Jugut deklaroi sot se ka dislokuar një anije luftarake të pajisur me sistem për interceptimin e raketave në Detin e Verdhë.

Koreja e Veriut kërcënoi se do të godiste Korenë e Jugut, dhe shtoi se nuk do të garantonte siguri për anijet e saj në ujërat e një zone të diskutueshme detare, që ka qenë qendra e dy përplasjeve të përgjakshme mes dy shteteve rivale gjatë 10 viteve të fundit.

Koreja e Jugut zakonisht nuk deklaron dislokime specifike për mbrojtjen nga Koreja e Veriut, me të cilën teknikisht është ende në luftë, pasi konflikti i tyre në vitet 1950-'53 përfundoi me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje.

Por duke sinjalizuar se do të jetë e patundur në qëndrimin e saj në lidhje me kufirin detar të diskutueshëm, Koreja e Jugut dërgoi në rajon anijen luftarake 440-tonësh "Yun Yeong Ha", e cila është e pajisur me raketa anti-anije dhe artileri tepër të rëndë, për të përforcuar mbrojtjen aktuale që garantohet nga anije luftarake të shpejtësisë së lartë, deklaroi flota detare.

Koreja e Veriut ka nisur trajnimin ushtarak, ka grumbulluar municione dhe ka urdhëruar ndalimin e lundrimeve në ujërat e brigjeve perëndimore për t'u përgatitur për një sulm të mundshëm kundër Koresë së Jugut, njoftoi gazeta më e madhe e Koresë së Jugut "Chosun Ilbo", sipas një burimi ushtarak koreanojugor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›