Marota: “Kundër Interit, një ndeshje speciale”
“Një mbrëmje speciale”. Kështu e përkufizoi administratori i deleguar i Sampdorias, Bepe Marota, gjysmëfinalen e kthimit në Kupën e Italisë kundër Interit, takim që do të luhet ditën e enjte. “Do të jetë një ndeshje e hapur. Nuk duhet të bëjmë gabime. Kemi një mundësi të shkëlqyer për t’u dhuruar një ëndërr tifozëve tanë, por janë për t’u luajtur edhe nëntëdhjetë minuta kundër një prej skuadrave më të fortë të botës. Nuk do të jetë një shëtitje.”. Sampdoria fitoi ndeshjen e parë gjysmëfinale 3-0.
Një gol në ndeshjen e parë shërben si shpresë për bardhezinjtë për gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë. Marko Markioni dëshiron së tepërmi që të shkojë në finale. “Më bëhet qejfi që shënova në takimin e parë, – thotë mesfushori i Juves, - sepse një gol në transfertë është gjithmonë i rëndësishëm. Gjithsesi, duhet të jemi shumë të përqendruar, sepse Lacio po përjeton një moment të mirë. Ne vijmë nga barazimi me Interin. Treguam se jemi të gjallë dhe kemi dëshirë të madhe për të kaluar në finale. Sfidat me Lacion janë gjithmonë tepër të vështira, sepse kundër nesh ata gjejnë përherë stimuj plus. I gjithë Juventusi duhet të japë maksimumin, sepse ky është i vetmi trofe që kemi mundësi ta fitojmë”.
Kupa e Italisë
Gjysmëfinalet
e kthimit
Nesër, 20:45
Juventus-Lacio (1-2)
Të enjten, 20:45
Inter-Sampdoria (0-3)
Shënim: Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para
Mainci i Hykës e Leverkuzeni, luftë për UEFA-n
Sot për Kupën e Gjermanisë do të përballet Leverkuseni me skuadrën e kategorisë së dytë, Mainzin, ndeshje e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës. Në fakt, në çerekfinale të dyja ekipet arritën të eliminojnë skuadra shumë të forta. Leverkuseni mundi Bajernin e Mynihut, me rezultatin 4-2, ndërsa Mainzi eliminoi Shalken, falë një goli në minutat e fundit. “Do jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Duhet të fitojmë patjetër dhe të sigurojmë një vend në finale”, tha trajneri i Leverkusenit, Bruno Labadia. Nga ana tjetër, ekipi që vjen nga kategoria e dytë dëshiron ta çojë deri në fund ëndrrën e vet dhe do të ishte e mrekullueshme, nëse fitonin edhe një biletë për në UEFA.
Toti, golashënuesi i dhjetë më i mirë në Itali
Françesko Toti, pas dygolëshit ndaj Leçes, që e ka ngjitur në kuotën e 175 golave në renditjen e shënuesve të të gjitha kohërave në Serinë A. Ka kapërcyer kështu në vendin e dhjetë Amedeo Amedein, të lavdishmin e Romës dhe tani Toti kërkon të kapë ish-kampionin e Juventusit (178 gola në Serinë A), por edhe vendin e katërt në renditjen e kampionatit italian: “Rekordi i Silvio Piolës, kryegolashënues absolut i të gjitha kohërave, është praktikisht i paarritshëm. Prandaj më mirë të synohet Boniperti me 178 gola. Në këtë renditje, vendin e parë e mban Piola (274 gola), i ndjekur nga Gunar Nordhal (225), Xhuzepe Meaca e Hoze Altafini, të dy me nga 216 gola. Pastaj në kuotën e 205 golave është Roberto Baxhio. Më tej vjen Kurt Hamrin, i ndalur në kuotën 190, pastaj Sinjori me 188, Batistuta 184, Boniperti 178 e Toti me 175.
21 Prill 2009